Ekip
25 Qershor 2020•Përditësim: 26 Qershor 2020
Evropa regjistroi rritje të rasteve javore me COVID-19 për herë të parë brenda disa muajve, ndërsa kufizimet po lehtësohen në gjithë kontinentin, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), raporton Anadolu Agency (AA).
"Javën e kaluar, Evropa pati një rritje të rasteve javore për herë të parë brenda disa muajve", tha Dr. Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, në një konferencë javore për shtyp.
"Në nivel global, me më shumë se 9 milionë raste të konfirmuara me COVID-19 dhe mbi 400 mijë vdekje të raportuara në OBSH, pandemia vazhdon të përshpejtohet, dhe një numër rekord i rasteve të reja të koronavirusit u raportuan të dielën, me 183.020 të konfirmuar në 24 orë", tha Kluge.
Më shumë se 2,5 milionë raste janë regjistruar në Evropë, tha drejtori rajonal i OBSH-së.
Megjithëse rajoni evropian tani ka një proporcion në rënie të rasteve globale krahasuar me fillimin e vitit, ai vazhdon të raportojë afër 20 mijë raste të reja dhe më shumë se 700 vdekje çdo ditë.
"Për javë të tëra, unë kam folur për rrezikun e rishfaqjes teksa vendet rregullojnë masat. Në disa vende në Evropë, ky rrezik tani është bërë realitet; 30 vende kanë regjistruar rritje të rasteve të reja kumulative gjatë dy javëve të fundit", tha Kluge, pa i përmendur vendet.
"Në 11 prej këtyre vendeve, transmetimi i përshpejtuar ka çuar në rishfaqje shumë të rëndësishme që, nëse lihen të pakontrolluara, do t'i shtyjnë sistemet shëndetësore drejt skajit edhe një herë në Evropë", shtoi Kluge.
Mbështetje për OBSH-në
Shefi i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, u takua me ministrin e Shëndetësisë të Gjermanisë, Jens Spahn, dhe homologun e tij francez Olivier Véran sot në Gjenevë.
"OBSH është e nderuar t'ju mirëpresim të dy këtu sot, dhe ne ju ofrojmë falënderimet tona të sinqerta për shprehjen tuaj të solidaritetit dhe mbështetjes. Ne po marrim sot gjithë mbështetjen që na duhet, politike dhe financiare, siç është thënë, dhe dëshiroj të shpreh mirënjohjen time", tha Tedros.
Ndërkaq, Spahn tha se Gjermania, e cila do të marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian javën e ardhshme, do të sigurojë ndihmë me vlerë mbi 500 milionë dollarë për OBSH-në.
Ai tha se shumë vende në botë kanë nevojë për mbështetje financiare dhe pajisje mjekësore.
Prandaj, ne kemi ofruar maska dhe pajisje mjekësore për OBSH-në për shpërndarje në vendet në nevojë. Përfshirë këto pajisje mjekësore, Ministria gjermane e Shëndetësisë do të sigurojë më shumë se 500 milionë euro për OBSH-në këtë vit", tha ministri gjerman.
"Shëndeti global dhe mbështetja për OBSH-në është një temë kryesore gjatë pandemisë aktuale. Kjo është arsyeja pse unë kam ardhur në Gjenevë për të diskutuar planet tona të presidencës së BE-së dhe mënyrat për të mbështetur më tej OBSH-në në këtë moment kritik", shtoi ai.