Bota

OBI do të diskutojë mbi deklaratën e Netanyahut për aneksim

Kryeministri izraelit, Netanyahu kishte shprehur qëllimin për të aneksuar disa pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar

Ali Murat Alhas   | 14.09.2019
OBI do të diskutojë mbi deklaratën e Netanyahut për aneksim

Ankara

Organizata për Bashkëpunim Islam (OBI) do të zhvillojë një takim të jashtëzakonshëm të ministrave të Jashtëm të dielën, ku do të diskutojnë fjalimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu mbi qëllimin për të aneksuar disa pjesë të Bregut Perëndimor të Palestinës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme turke tha se vendi do të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu.

Në fillim të kësaj jave, Netanyahu duke u bërë thirrje votuesve të tij para zgjedhjeve të parapara për 17 shtator, tha: "Unë shpalos qëllimin tim për të shtrirë sovranitetin e Izraelit në Luginën e Jordanit dhe Detin e Vdekur, nëse qytetarët izraelitë më zgjedhin mua".

Afërsisht 70 mijë palestinezë së bashku me rreth 9.500 banorë hebrenj, aktualisht jetojnë në Luginën e Jordanit, e cila është një tokë e madhe pjellore që përbën afërsisht një të katërtën e territorit të përgjithshëm të Bregut Perëndimor.

Turqia, Liga Arabe dhe vendet evropiane thanë se ishin të shqetësuara nga deklarata e Netanyahut për aneksim, ndërsa zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric tha se plani për aneksim paraqet shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Ligji ndërkombëtar konsideron Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor si "territore të okupuara" ndërsa të gjitha aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve hebraike atje i konsideron si të paligjshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.