Rıyaz Khalıq
15 Shkurt 2019•Përditësim: 15 Shkurt 2019
ANKARA (AA) - Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo, ka deklaruar se Washingtoni dhe Pheniani mund të diskutojnë përfundimin e luftës koreane në takimin e ardhshëm në Vietnam, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, më vonë këtë muaj do të takohen në kryeqytetin Hanoi të Vietnamit për të diskutuar denuklearizimin dhe heqjen e sanksioneve ndaj Phenianit.
Në një intervistë për "Fox News" në Varshavë të Polonisë, Pompeo theksoi se “është diçka për të cilën kemi pasur shumë bisedime”.
“Në fakt, ekipi im do të rivendoset në Azi për një ose dy ditë për të vazhduar bisedat rreth të gjitha elementeve që u biseduan në Singapor. Mos harroni se jo vetëm që kemi diskutuar denuklearizimin, por kemi folur për krijimin e mekanizmave të sigurisë, mekanizmat e paqes në Gadishullin Korean. Shpresoj se të dy liderët do të kenë një mundësi për të folur edhe për këtë. Unë pres që ata do ta bëjnë”, deklaroi Pompeo.
Ai nuk pranoi të jepte ndonjë afat kohor për denuklearizimin e Gadishullit Korean.
“Një nga parimet themelore të doktrinës së Trumpit është që ne nuk u themi kundërshtarëve tanë se çfarë do të bëjmë. Kështu që ne kemi pasur shumë biseda rreth asaj se si shpresojmë që kjo të vijë, por unë vetëm nuk mund të them asgjë për një afat kohor siç ju supozoni”, u shpreh Pompeo.
Pompeo është nikoqir i një konference paqeje dhe të sigurisë në Lindjen e Mesme në kryeqytetin polak së bashku me aleatët e SHBA-ve.