Agim Sulaj
29 Tetor 2020•Përditësim: 29 Tetor 2020
Me ndërmjetësim të emisarit special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga koordinatori shtetëror Skender Hyseni ka zhvilluar sot në Bruksel, takimin e radhës me delegacionin e Serbisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç bën të ditur komunikata nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, temë e diskutimit e këtij takimi ka qenë zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dyja vendeve.
“Në kuadër të kësaj teme sot është biseduar ekskluzivisht për pensionet dhe kadastrin. Përkundër diskutimit të gjatë për këto tema, ende nuk ka përafrim të ndjeshëm të qëndrimeve. Por, megjithatë është arritur pajtueshmëri që diskutimi i këtij elementi të marrëveshjes së përgjithshme, pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve, të vazhdohet në takimin e radhës”, ka bërë të ditur komunikata.
Kosova në nivel ekspertësh përfaqësohet nga koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, ndërkaq Serbia përfaqësohet nga Petar Petkoviq. Tema për çështje financiare dhe pretendime pronësore të palëve janë diskutuar edhe më herët në dialogun në nivel ekspertësh që ka filluar më 27 gusht të vitit 2020.
Dialogu Kosove-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja rifilloi më 12 korrik pas heqjes së tarifës 100 për qind ndaj mallrave me origjinë serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës me synim një marrëveshje finale me njohje reciproke midis dy shteteve.