Adam Abu-bashal
05 Tetor 2022•Përditësim: 05 Tetor 2022
Qeveria e Nigerisë ka paditur Meta-n, pronarin e Facebook-ut, Instagram-in dhe WhatsApp-in, duke e akuzuar atë për shërbimin e produkteve reklamuese të pamiratuara në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Reklamat në Facebook, Instagram dhe WhatsApp në tregjet nigeriane nuk shqyrtohen dhe miratohen nga qeveria, tha në një deklaratë Këshilli Rregullator i Reklamimit Nigerian (ARCON).
ARCON ngriti padi në Gjykatën Federale në kryeqytetin Abuja, duke akuzuar Meta-n për ofrimin e produkteve reklamuese të pamiratuara në vend ndërsa qeveria i kërkoi Meta-s 30 miliardë naira (afërsisht 70 milionë dollarë) dëmshpërblim.
Duke argumentuar se vazhdimi i reklamave të Meta-s i ka kushtuar para qeverisë federale në deklaratë thuhet se "ARCON rithekson se nuk do të lejojë reklama joetike dhe të papërgjegjshme në hapësirën reklamuese nigeriane".
Qeveria, e cila ka premtuar në mënyrë të përsëritur të rregullojë mediat sociale në vend, publikoi projekt-rregullore në qershor që tha se do të drejtonte operacionet e kompanive të huaja të mediave sociale.
Rregullorja kërkon që kompanitë të heqin përmbajtjen që qeveria e konsideron si kundër sigurisë kombëtare.