Bahattin Gönültaş
29 tetor 2021•Përditësim: 01 nëntor 2021
Ekonomia gjermane u rrit 1,8 për qind në tremujorin e tretë të këtij viti nga tremujori i kaluar, pas lehtësimit të kufizimeve të vendosura për të parandaluar përhapjen e pandemisë së koronavirusit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Zyrës Federale të Statistikave (Destatis), produkti i brendshëm bruto (PBB) me rregullim sezonal i vendit u rrit 1,8 për qind në tremujorin e tretë nga tremujori i mëparshëm.
Pritjet e tregut ishin që ekonomia të rritej me 2,2 për qind.
Në një deklaratë nga Destatis thuhet se rimëkëmbja e ekonomisë gjermane ka vazhduar gjatë muajve të verës dhe se rritja në tremujorin e tretë është kryesisht rezultat i konsumit të lartë privat.
Ekonomia e vendit në tremujorin e parë të këtij viti ra me 2 për qind nga tremujori i mëparshëm, si pasojë e kufizimeve të rrepta dhe të gjata të vendosura për të parandaluar përhapjen e pandemisë.
Ekonomia gjermane u rrit 1,9 për qind në tremujorin e dytë pas lehtësimit të kufizimeve.
Për shkak të mungesës aktuale të materialeve për produktet kryesore në industrinë gjermane, pritjet për ekonominë gjermane kohët e fundit janë ulur.
Më 27 tetor, qeveria gjermane rishikoi pritjet e rritjes për këtë vit, të vlerësuara më parë në 3,5 për qind, në 2,6 për qind për shkak të pasojave të qëndrueshme të pandemisë COVID-19 dhe problemeve në zinxhirët e furnizimit.