Ekip
15 Gusht 2021•Përditësim: 16 Gusht 2021
Militantë të dyshuar të DEASH-it përdorën një pajisje shpërthyese për të sulmuar një fushë nafte në krahinën veriore Kirkuk të Irakut, sipas një oficeri të policisë lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Asnjë dëm nuk u raportua në sulmin në fushën e naftës Bai Hassan, tha burimi, i cili foli në kushte anonimiteti.
Ai tha se forcat e sigurisë kanë nisur kërkimet pas sulmuesve.
Në provincën Kirkuk ndodhen fushat e naftës Bai Hassan, Baba Gurgur dhe Havana, të cilat së bashku prodhojnë më shumë se 370.000 fuçi në ditë.
Deri më tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Terroristët e DEASH-it kanë përshkallëzuar sulmet e tyre në muajt e fundit, veçanërisht në zonën midis Kirkukut, Salahuddinit dhe Diyalas, ndryshe të njohura si Trekëndëshi i Vdekjes.
Në vitin 2017, Iraku shpalli fitoren ndaj DEASH-it duke rimarrë të gjitha territoret që grupi terrorist kontrollonte që nga vera e vitit 2014, që vlerësohej se përbënin rreth një të tretën e territorit të vendit.
Grupi, megjithatë, ende ruan celulat e heshtura në zona të mëdha në Irak dhe herë pas here kryen sulme sporadike.