Beyza Binnur Dönmez
15 Gusht 2021•Përditësim: 16 Gusht 2021
Sipas Ministrisë së Brendshme të vendit, talibanët filluan të hyjnë në periferi të kryeqytetit të Afganistanit, Kabul, pasi rrethuan qytetin nga të gjitha anët, raporton Anadolu Agency (AA).
Pasi talibanët morën të gjitha qendrat kryesore provinciale dhe pikat kufitare në Afganistan, me përjashtim të Kabulit, të shtëna me armë u dëgjuan herët gjatë ditës rreth pallatit presidencial në kryeqytet, ndërsa kryengritësit iu afruan qytetit.
Megjithatë, në një deklaratë, talibanët thanë se nuk synojnë të hyjnë në Kabul "me forcë ose luftë, por të negociojnë me palën tjetër për të hyrë në mënyrë paqësore".
Duke mbajtur forcat e saj jashtë qytetit, talibanët thanë se deri në përfundimin e një procesi kalimtar, siguria e Kabulit do t'i përkasë qeverisë afgane.
Më tej shtohet se nuk do të kërkohet hakmarrje kundër civilëve ose anëtarëve të ushtrisë që i shërbyen administratës së Kabulit.
Ndërsa trupat amerikane filluan të evakuojnë ambasadën e vendit në Kabul, NATO tha se zyrtarët e saj ishin zhvendosur në "vende të sigurta" brenda kryeqytetit.
Ministria e Jashtme turke gjithashtu u bëri thirrje shtetasve turq që duan të largohen nga Afganistani që të informojnë menjëherë Ambasadën e Turqisë në Kabul.