Fatjon Cuka
23 Tetor 2017•Përditësim: 24 Tetor 2017
TIRANË (AA) - Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot në një takim, kryetarin e Partisë “Alternativa për Ndryshim”, njëkohësisht kryetar i emëruar i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Meta gjatë takimit vuri në dukje interesimin e tij ndaj problemeve dhe kërkesave për zgjidhje, të cilat ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Komunës së Preshevës dhe shqiptarëve të Luginës në përgjithësi.
"Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes faktorit politik shqiptar në Preshevë dhe në të gjithë Luginën, për realizimin e nevojave dhe interesave politike, ekonomike dhe të gjitha fushave të jetës për shqiptarët e Luginës. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të bashkive të ndryshme të Shqipërisë me Komunën e Preshevës për realizimin e projekteve të përbashkëta kulturore, arsimore, sportive, si dhe me zhvillimin ekonomik të Preshevës", theksohet në njoftim.
Gjithashtu thuhet se presidenti i Shqipërisë, theksoi gjatë takimit rëndësinë që ka integrimi i shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës vendore dhe qendrore "për zgjidhjen e problemeve të shumta që kanë banorët e Luginës duke krijuar një perspektivë më të mirë, në veçanti për të rinjtë".
Ndërkohë Meta realizoi sot një takim edhe me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu.