"Mes Turqisë dhe Armenisë është hapur një dritare e re mundësish"
Safaryan i cili njëkohësisht është edhe kryetari themelues i Qendrës Armene për Studime të Sigurisë Ndërkombëtare, pohon se marrëdhëniet Turqi-Armeni duhet të normalizohen

Jerevan
AYŞE SARIOĞLU
Mes Turqisë dhe Armenisë është hapur një dritare e re mundësish, pavarësisht mbështetjes politike dhe ushtarake turke për Azerbajxhanin në luftën për çlirimin e Karabakut, tha Styopa Safaryan, ish-anëtar i parlamentit armen.
Safaryan, ish-anëtari i Asamblesë Kombëtare nga Partia e Trashëgimisë dhe ish-kryetar i Këshillit Popullor në Armeni, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) foli për marrëdhëniet e vendit të tij me Turqinë dhe rajonin.
"Është hapur një dritare e re mundësish mes dy vendeve, pavarësisht mbështetjes së hapur politike dhe ushtarake që Turqia i dha Azerbajxhanit në Luftën 44-ditëshe të Dytë të Karabakut, problemeve që e përkeqësojnë perceptimin ndaj Turqisë tek popullata për shkak të kësaj lufte, armët që Turqia ia la Azerbajxhanit dhe të cilët më pas u përdorën në luftë dhe të gjitha këtyre problemeve", u shpreh Safaryan.
Safaryan i cili njëkohësisht është edhe kryetari themelues i Qendrës Armene për Studime të Sigurisë Ndërkombëtare, pohon se marrëdhëniet Turqi-Armeni duhet të normalizohen, duke theksuar se presin që tërheqja e ushtarëve armenë nga rajoni pas Luftës së Karabakut të përshpejtojë marrëdhëniet mes dy vendeve.
Çështja e Zangezur-it
Sipas tij, çështja më e ndjeshme në axhendën e normalizimit është "Korridori i Zangezur-it" që do të mundësojë lidhjen Turqi-Nakhchivan-Azerbajxhan.
Safaryan tha se disa qarqe në Armeni, hapjen e korridorit që do të sigurojë hapjen e lidhjes Turqi-Nakhchivan-Azerbajxhan nëpërmjet Zangezur-it, e cilësuan si "politikë për t'ia 'zënë frymën' Armenisë".
"Pa përdorur shprehjen 'Korridori i Zangezur-it' edhe Turqia do të fitojë shumë gjëra nga hapja e këtyre rrugëve", pretendoi Safaryan, duke pohuar se korridori i Laçin-it që lidh Armeninë me Karabakun ka një funksion tjetër.
"Nëse përdoret kjo shprehje (korridor) do të mbyllet dialogu Armeni-Turqi", pretendon ai.
Gjendja e Pashinyan-it
Më tej, Safaryan theksoi se kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, pas Luftës së Dytë të Karabakut në politikën e brendshme ka pësuar probleme të mëdha dhe pavarësisht të gjitha kritikave mundohet të hedh hapa për marrëdhënie bilaterale me Turqinë.
Ai tha se çështja që më së shumti e ka lënë në situatë të vështirë Pashinyan-in është çështja e Zangezur-it. "Pashinyan mundohet të tregojë se sikur ka sinjal pozitiv nga Turqia, që të formohet një axhendë e përbashkët. Pavarësisht se Pashinyan e di shumë mirë që nga shoqëria do të vijnë kritika, i jep këto deklarata por kjo situatë nuk kuptohet nga Turqia", potencoi Safaryan.
Duke folur në lidhje me pozitën e Rusisë, ai tha se vendosja e Rusisë pas armëpushimit në rajon si "vëzhgues" është një "përfitim i madh".
"Pjesa më e madhe e komunitetit ndoshta mendon kështu; 'Rusia për ne nuk është një aleat sikurse Turqia është për Azerbajxhanin. Rusia nuk na del zot neve, ashtu siç Turqia i del Azerbajxhanit'", tha Safaryan lidhur me kuptimin e Rusisë për Armeninë.
Safaryan pretendon se normalizimi i marrëdhënieve Armeni-Turqi do të ishte i mundur duke negociuar mes dy vendeve, jo përmes një formati i shumëpalësh.
Deklarata e presidentit Erdoğan për "Zangezur"
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një transmetim të përbashkët të TRT-së më 30 nëntor lidhur me takimin e zhvilluar të premten e kaluar mes presidentit rus Vladimir Putin, presidentit të Azerbajxhanit İlham Aliyev dhe Pashinyan dha këtë deklaratë:
"Pashinyan dhe i nderuari Putin zhvilluan një takim atje nën kryesimin e Putinit. Lidhur me takimin në bisedën që kam zhvilluar me vëllain tim Ilham Aliyev më tha se takimi ka kaluar mjaft mirë dhe i frytshëm. Me rastin e këtij takimi është zgjidhur çështja për ndërtimin e rrugës tokësore, hekurudhore përgjatë lumit Aras. Bashkë me këtë hap që do të ndërmerret është edhe çështja e autostradës që do të arrijë deri në qytetin Iğdır".
Erdoğan në vazhdim ka thënë se "Kapërcimi i problemit në çështjen e autostradës kryesisht në Nakhchivan si dhe lidhja e Azerbajxhanit me qytetin Iğdır duke kaluar në anën tjetër nga territori i Armenisë do të jetë një hap i suksesshëm. Krahas kësaj do të jetë një hap i rëndësishëm që do të ndërmerret në transportin e njerëzve dhe mallrave si me rrugë tokësore ashtu edhe me hekurudhë".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.