Ayhan Şimşek
19 Korrik 2019•Përditësim: 20 Korrik 2019
Kancelarja gjermane Angela Merkel i është bashkangjitur vargut diplomatik të dënimeve ndaj presidentit amerikan Donald Trump, duke e ktitikuar ashpër atë për "komentet e tij raciste" për 4 kongresmenet demokrate të pakicave, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke u përgjigjur në pyetje në një konferencë për media në Berlin, Merkel theksoi se emigrantët japin kontribut të madh në SHBA dhe e bëjnë Amerikën një shtet të fuqishëm.
"Këto komente kundërshtojnë atë që e bën Amerikën të fuqishme", tha ajo.
E pyetur nëse ka ndjerë solidarizim me kongresmenet e pakicave, Merkel tha "Po" pa u hezituar.
"Fuqishëm distancohem nga këto deklarata dhe ndjej solidaritet me gratë", tha ajo.
Trump shkaktoi reagime të shumta të dielën kur, duke përdorur fjalor fyes racist, u tha një grupi progresiv të kongresmeneve demokrate që 'të kthehen" në vendet e tyre "totalisht të shkatërruara dhe të mbushura me krim" prej nga kanë ardhur.
Ai fillimisht refuzoi të tregojë se kujt i referohej por të martën citoi një ish kongresmen i cili iu referua si "ekipi" (the squad), një fjalë që i referohet 4 anëtareve të reja të Kongresit, Alexandria Ocasio-Cortez, Ilhan Omar, Rashida Tlaib, dhe Ayanna Pressley.
Të gjitha këto kanë lindur në SHBA, përpos Omar, e cila është shtetase e natyralizuar amerikane e lindur në Somali. Të gjitha janë amerikane me ngjyrë të zgjedhura për të shërbyer në Kongres.
Të martën, në një votim kryesisht të ndarë në vija partiake, Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët votoi për të dënuar komentet "raciste" të Trumpit.