Ahmet Gürhan Kartal
29 Prill 2019•Përditësim: 29 Prill 2019
Aktivitetet e simpatizantëve të organizatës terroriste PKK në Londër gjatë javës së kaluar kanë kaluar me një mbikëqyrje më të madhe, me disa që pyesin se pse mbështetësve të një grupi ilegal u lejohet që të mblidhen, mobilizohen publikisht, madje edhe të sulmojnë mediat dhe organizatat e të drejtave të njeriut, raporton Anadolu Agency (AA).
Grupe të protestuesve që mbartnin flamuj të organizatës terroriste PKK, pankarta me shenjën e grupit ilegal apo që shprehnin përkrahjen për liderin e arrestuar Abdullah Ocalan, janë parë në rrugët e kryeqytetit britanik.
Një grup prej 50 simpatizantëve të PKK-së të mërkurën e kaluar zaptuan një ndërtesë në Londër, në të cilën ndodhen zyrat e platformës ndërkombëtare turke të informacionit TRT World dhe e medias britanike ITV.
Një grup tjetër të shtunën në mbrëmje zaptoi hyrjen e organizatës Amnesty International dhe keqtrajtoi një zyrtar të sigurimit, pas çka në vendin e ngjarjes u ftua policia e cila i largoi zaptuesit.
Në të dy incidentet, grupi mbante pankarta me simbole të organizatës terroriste PKK/YPG dhe në mënyrë të lirë dhe të hapur shfaqte solidaritet me terrorizmin.
Organizata PKK është e ndaluar në Britani dhe çdokush që haptazi i lëvdon aktivitetet terroriste duhet të përballet me ndjekje penale.
Mbështetësit janë parë duke brohoritur slogane anti-turke dhe kishin mundësi të bëjnë propagandë pa u penguar nga autoritetet, pavarësisht asaj se ligjet i konsiderojnë disa nga veprimet e tyre në këto marshime si vepra penale.
- Arrestimet në Amnesty International
"Amnesty International me keqardhje mund të konfirmojë se rreth orës 22:00 mbrëmjen e kaluar një grup prej rreth 40 protestuesve iu vërsulën derës së hyrjes dhe me forcë hynë në zyrat e Sekretariatit Ndërkombëtar të organizatës në Londër”, thuhet në kumtesën e organizatës për të drejtat e njeriut.
“Një pjesëtar i sigurimit u shty përtokë, u tërhoq zvarrë dhe u shkel me këmbë”, thuhet në kumtesë.
Nga organizata Amnesty gjithashtu thonë se në vendngjarje u thirr policia dhe e cila “e vlerësoi situatën dhe përcaktoi se ishin kryer vepra penale dhe ndërmori masa për të larguar ata që zaptuan ndërtesën".
“Fatkeqësisht disa nga protestuesit refuzuan të largohen andaj policia duhej t’i arrestonte dhe fizikisht t’i largonte”, thonë nga Amnesty.
- “Vrimat në legjislacion”
Mbështetësit e grupit terrorist janë të njohur për sulmet në vendet turke të punës dhe nëpër xhamitë anekënd Evropës.
Edhe pse grupi është i ndaluar në Britani, policia ka toleruar aktivitetet e mbështetësve të grupit, duke përfshirë edhe mitingjet.
Në mitingjet e vitit 2016, u sulmuan dy të rinj, shtetas turq, u lëndua një polic, si dhe u ofenduan disa anëtarë të publikut të gjerë nga mbështetësit e PKK-së.
Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, vitin e kaluar tha se grupi terrorist PKK po shfrytëzon “vrimat në legjislacionin britanik” për t’i ikur kundërmasave nga policia e kryeqytetit.
Duke folur për AA në vitin 2018, Khan tha se janë të papranueshme mangësitë në legjislacion që mundësojnë demonstrata të kohëpaskohshme nga mbështetësit e PKK-së në Britani, duke shtuar se policia e kryeqytetit duhet të veprojë kundër çdo organizate të ndaluar.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme për qeverinë, sekretarin e brendshëm, për t’i mbyllur ato vrima në legjislacion”, tha Khan.
Organizata PKK, që është në listën e organizatave terroriste të Turqisë, SHBA-ve dhe BE-së, në sulmet e saj terroriste 30 vjeçare kundër Turqisë është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra dhe fëmijë. YPG/PYD është dega e saj në Siri.