Ekip
04 shtator 2019•Përditësim: 04 shtator 2019
Presidenti i Kashmirit të administruar nga Pakistani akuzoi bashkësinë ndërkombëtare se "nuk ndërmerr asgjë për të zvogëluar vuajtjet e popullit të Kashmirit" në vazhdën e krizës së fundit në rajonin e diskutueshëm, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë kombëtare mbi krizën e Kashmirit në Islamabad, kryeqytetin e Pakistanit, Sardar Masood Khan tha se situata në Xhamu Kashmir po përkeqësohet çdo ditë e më tepër.
"Sot njerëzit në Kashmirin e pushtuar po torturohen, vriten, burgosen dhe privohen nga të drejtat e tyre themelore, ndërsa komuniteti ndërkombëtar nuk mobilizohet dhe nuk bën asgjë për të zvogëluar vuajtjet e njerëzve të luginës së pushtuar", tha Khan, lideri i Azad Kashmirit.
Në gusht, India shfuqizoi statusin e veçantë Xhamu Kashmirit të mundësuar sipas nenit 370 të kushtetutës indiane.
Ajo gjithashtu ndau provincën dikurshme në dy territore të administruara nga qendra dhe ia hoqi kompetencat asamblesë së saj.
"Heshtja e bashkësisë ndërkombëtare për tensionet midis dy fqinjëve bërthamorë është neglizhencë kriminale dhe pasojat e saj nuk janë të dëmshme vetëm për Pakistanin dhe njerëzit e Kashmirit, por për gjithë botën", tha Khan në konferencën e organizuar nga Qendra për Paqe, Siguri dhe Studime Zhvillimore (CPSD).
Sipas disa grupeve të të drejtave të njeriut, përfshirë Human Rights Watch, Xhamu Kashmiri është mbyllur pothuajse në tërësi që nga 5 gushti, pasi India shfyqizoi statusin e saj të veçantë.
India ka bllokuar komunikimin dhe ka vendosur kufizime të rrepta për të penguar çdo rebelim, ndërsa udhëheqësit politikë në rajon janë arrestuar, ndërkohë që grupet e të drejtave i kanë bërë thirrje vazhdimisht New Delhit të heqë kufizimet dhe të lirojë të arrestuarit politikë.
Megjithatë, autoritetet indiane pretendojnë se 90 për qind e rajonit të diskutuar Xhamu Kashmir është pa kufizime ditore.
Nga viti 1954 deri më 5 gusht të këtij viti, Xhami Kashmiri kishte dispozita të posaçme sipas të cilave rajoni miratonte ligjet e veta. Dispozitat gjithashtu mbronin ligjin e shtetësisë, i cili ndalonte të huajt që të vendoseshin dhe të zotëronin tokë në këtë territor.
India dhe Pakistani administrojnë dy pjesë të Kashmirit dhe pretendojnë kontroll të plotë mbi këtë rajon. Kina kontrollon gjithashtu një pjesë të rajonit të kontestuar, por India dhe Pakistani kanë zhvilluar dy luftëra për Kashmirin.