Selen Temizer
16 Shkurt 2022•Përditësim: 16 Shkurt 2022
Liderët e Bashkimit Evropian (BE) dhe Bashkimit Afrikan do të takohen në kryeqytetin belg, Bruksel, në një takim dyditor të samitit për të diskutuar mbi zhvillimin ekonomik të Afrikës, pavarësinë e vaksinave, transformimin e energjisë dhe sigurinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Udhëheqësit e BE-së dhe Bashkimit Afrikan dhe përfaqësuesit e vendeve anëtare do të takohen më 17-18 shkurt në Bruksel për herë të parë pas afro 5 vitesh.
Teksa BE-ja e sheh samitin si një mundësi për "partneritet të rinovuar dhe më të thellë", thekson se partneriteti do të krijohet në bazë të interesave të të dy kontinenteve.
Çështja kryesore që do të trajtohet nga liderët në samit është ekonomia. Në këtë kontekst, pritet të pranohet Paketa e Investimeve Afrikë-Evropë, e cila merr parasysh sfidat globale si ndryshimet klimatike dhe kriza aktuale shëndetësore.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Senegal njoftoi planin e investimeve prej 172 miliardë dollarësh për Afrikën.
Von der Leyen në deklaratën e saj më 28 tetor 2021 theksoi se BE-ja synon të prodhojë 3,5 miliardë doza vaksinash në vitin 2022 dhe se shumica e tyre do të eksportohen dhe deklaroi se tema kryesore e Samitit BE-Afrikë do të jetë pavarësimi i kontinentit në aspektin e vaksinës.
Përveç këtyre, parashikohet që liderët të diskutojnë edhe mjetet dhe zgjidhjet që do të promovojnë stabilitetin dhe sigurinë përmes një strukture të përtërirë të paqes dhe sigurisë.
Në këtë kontekst, në samitin dyditor do të diskutohen çështje të tilla si financimi i zhvillimit ekonomik, sistemet shëndetësore dhe prodhimi i vaksinave, bujqësia dhe zhvillimi i qëndrueshëm, arsimi, kultura, emigrimi, mbështetja e sektorit privat dhe integrimi ekonomik, paqja, siguria dhe menaxhimi, ndryshimet klimatike, tranzicioni i energjisë së gjelbër dhe transformimi digjital.
Në fund të takimit do të miratohet një deklaratë e përbashkët, "Vizioni i përbashkët për vitin 2030".
- "Ne do të tregojmë se BE-ja është partneri më i besueshëm i Afrikës"
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, në fjalimin e tij dje në parlament, tha: "Ne duhet ta shikojmë Afrikën me një sy pozitiv, jo vetëm përmes problemeve të emigracionit. Afrika ofron mundësi të panumërta për ne, ata kanë një potencial njerëzor të ri dhe dinamik dhe kanë mundësi të pakufizuara për energjitë e rinovueshme".
Duke deklaruar se BE-ja dhe Bashkimi Afrikan "absolutisht nuk pajtohen për çdo çështje", Borrell argumentoi se pajtimi për çështjet themelore do të ishte i mjaftueshëm për një bashkëpunim të rinovuar dhe më të fortë. "Ne do të tregojmë se BE-ja është partneri më i besueshëm i Afrikës", tha Borrell.
- Situata në Sahel
Duke nënvizuar se problemet e Afrikës janë edhe problemet e BE-së, Borrell tërhoqi vëmendjen për krizën e sigurisë në rajonin e Sahelit.
Në samit pritet të përcaktohet edhe rezultati i operacioneve të Francës dhe Kombeve të Bashkuara (OKB) në Sahel. Vlerësohet se presidenti francez, Emmanuel Macron, do të ndajë me publikun vendimin e tij përfundimtar për operacionet ushtarake në rajon.
Borrell bën shpesh vlerësime se siguria e BE-së fillon në Sahel dhe thekson se duhet të vendosen më shumë marrëdhënie me këtë rajon.
Samiti i mëparshëm BE-Bashkimi Afrikan u mbajt më 29-30 nëntor 2017 në Bregun e Fildishtë.