Mahmoud Mohamed Barakat Ramadan İbrahim
08 Janar 2020•Përditësim: 09 Janar 2020
Këshilli i Lartë Shtetëror i Libisë ka rekomanduar këshillin presidencial të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA), të njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB), të ndërpresë lidhjet me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), raporton Anadolu Agency (AA).
Këshilli në seancën e tij të 48-të i konsideroi Emiratet e Bashkuara Arabe si shtet me qëndrim armiqësor dhe luftues, duke ruajtur të drejtën për t'iu përgjigjur sulmeve të saj me të gjitha mënyrat siç garantohet nga Karta e OKB-së.
Këshilli bëri thirrje për "marrjen e të gjitha masave ligjore në forume ndërkombëtare kundër Emirateve të Bashkuara Arabe, pasi është një partner thelbësor dhe i drejtpërdrejtë (i forcave të komandantit Khalifa Haftar) në agresionin e nisur kundër Tripolit dhe në masakrën e akademisë ushtarake në veçanti".
Të paktën 30 njerëz u vranë dhe 33 u plagosën të dielën kur forcat e Haftarit filluan një sulm ajror në konviktin e një akademie ushtarake në Tripoli, ku kryesisht në objektiv kishte studentët e saj.
Këshilli gjithashtu rekomandoi "rivlerësimin e marrëdhënieve me të gjitha vendet që ndihmojnë ose komunikojnë me kriminelin e jashtëligjshëm të luftës", duke iu referuar Haftarit.
Që nga rrëzimi i ish-liderit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qeveri rivale, një në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me të cilën është i lidhur edhe gjenerali puçist Haftar, tjetra GNA në Tripoli, e cila gëzon njohjen ndërkombëtare dhe atë të OKB-së.
Në prill, forcat e Haftarit filluan një fushatë ushtarake për pushtimin e Tripolit nga qeveria e njohur ndërkombëtarisht.
Më 12 dhjetor, Haftar njoftoi se ai urdhëroi militantët e tij të fillonin një "betejë vendimtare" për marrjen e qytetit.