Sümeyye Özer
02 Janar 2020•Përditësim: 03 Janar 2020
Forcat e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të Libisë, e cila gëzon njohjen ndërkombëtare, kanë zmbrapsur një sulm të forcave të gjeneralit puçist Khalifa Haftar në jug të kryeqytetit Tripoli, raporton Anadolu Agency (AA).
Mustafa al-Mecei, zëdhënës i operacionit "Burkan al-Gadab" i nisur nga GNA kundër sulmeve të Haftarit, tha për AA se forcat e gjeneralit rebel kanë sulmuar nga ajri dhe toka rajonin Salahaddin në jug të Tripolit.
Mecei njoftoi se sulmi është zmbrapsur nga njësitë e GNA-së dhe se kampi al-Takbali është marrë plotësisht nën kontroll, ndërsa milicët e Haftarit kanë pësuar humbje të rënda.
Më 4 prill, forcat e Haftarit filluan një fushatë ushtarake për të kapur Tripolin, me çka GNA nisi një kundër-operacion. Deri më tani, gjenerali Haftar nuk ka arritur të përparojnë përtej pjesëve periferike të qytetit.
Ndërkaq, më 12 dhjetor, Haftar dha një tjetër urdhër për sulm ndaj Tripolit, duke e quajtur fushatën e re si "Lufta Vendimtare", ndërsa si masë kundër këtij urdhri, në dhjetë qytete perëndimore të vendit u shpall mobilizim.
Që nga rrëzimi i ish-liderit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qendra pushteti, një në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me të cilën është i lidhur edhe gjenerali puçist Haftar, dhe një tjetër në Tripoli, e cila gëzon njohjen ndërkombëtare atë të OKB-së.