Zehra Nur Düz
04 Gusht 2020•Përditësim: 05 Gusht 2020
Numri i viktimave nga shpërthimi masiv në Bjerut, kryeqytetin e Libanit, është rritur në 63, tha ministri i Shëndetësisë së vendit, Hamad Hasan, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zjarri në një depo me eksploziv në Portin e Bejrutit shkaktoi shpërthimin masiv nga i cili është rrënuar një ndërtesë tre-katëshe, ndërsa shpërthimi është ndëgjuar në gjithë qytetin dhe në periferi të tij.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale treguan tymin nga zjarri, i ndjekur nga një shpërthim i madh.
Më shumë se 3.000 njerëz janë plagosur në këtë shpërthim, shtoi Hasan.
Sipas raporteve fillestare, nuk është lënduar ish-kryeministri Saad al-Hariri, i cili jeton afër zonës ku ndodhi shpërthimi. Megjithatë, ndërtesat përreth, duke përfshirë rezidencën e Al-Haririt dhe Aeroportin Ndërkombëtar "Beirut-Rafic Al-Hariri", kanë pësuar dëme të mëdha.
Ka njerëz të bllokuar nën rrënojat, ndërsa ekipet e shpëtimit përpiqen të arrijnë deri te ata.
Guvernatori i Bejrutit, Marwan Abboud, i cili shpërtheu në lot derisa po fliste para gazetarëve në vendin e shpërthimit, e krahasoi shpërthimin me bombardimet e tmerrshme bërthamore të qyteteve japoneze Hiroshima dhe Nagasaki në vitin 1945, ku u vranë përnjëherë qindra mijëra njerëz.
Sipas një njoftimi, ambasadori i Kazakistanit në Beirut u plagos dhe ndërtesa e ambasadës u dëmtua.
Gjithashtu, drejtuesi i Partisë Kataeb të Libanit, Nazar Najarian, vdiq nga plagët e marra nga shpërthimi.
Shpërthimi ndodhi në një kohë të ndjeshme kur Gjykata Speciale e OKB-së për Libanin kishte planifikuar të shpallë aktgjykimin në rastin e vrasjes së ish kryeministrit libanez Rafik Hariri.
Gjatë ditës, burime afër grupit Hezbollah mohuan pretendimet se shpërthimi në Bejrut ishte një sulm izraelit në depot e tyre të armëve.
Zyrtarët izraelitë, të cilët folën për mediat lokale në kushte anonimiteti, mohuan përfshirjen e Izraelit në incident, duke thënë se shpërthimi mund të ishte një aksident.
Shpërthimi ndodhi në një kohë kur ekonomia e Libanit po përballet me krizën e saj më të rëndë në dekada.