Ekip
05 Mars 2020•Përditësim: 06 Mars 2020
Kuvajti njoftoi rastin e parë të shërimit nga koronavirusi në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Shëndetësisë së Kuvajtit, Basel Al-Sabah, tha se testet e pacientit treguan se shtetasi 36-vjeçar i Kuvajtit nuk është më i infektuar nga koronavirusi, ka njoftuar agjencia shtetërore e lajmeve KUNA.
Ministri tha se qytetari do të lëshohet nga spitali pasi të ketë kryer të gjitha testet e rregullta.
Më herët gjatë ditës, Ministria e Shëndetësisë e Kuvajtit konfirmoi dy rastet e reja të koronavirusit, duke e çuar në 58 numrin e përgjithshëm të të infektuarve.
Sipas ministrit të Shëndetësisë, në dy rastet bëhet fjalë për persona që janë infektuar pasi kanë vizituar Iranin dhe ata janë vendosur në karantinë.
Deri më tani, Kuvajti ka evakuuar rreth 800 shtetas nga Irani, ku sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë së Iranit, numri i të vdekurve është rritur në 107.
Numri i rasteve të konfirmuara në të gjithë botën ka arritur në 95.000, ndërsa numri i vdekjeve është mbi 3.200.