Adam Abu-bashal
05 Mars 2020•Përditësim: 10 Mars 2020
Forcat nigeriane të sigurisë gjatë një operacioni nëpër kampet e organizatës terroriste Boko Haram kanë liruar 223 fëmijë, raporton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesi i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Ndihmë të Fëmijëve (UNICEF) në krahinën nigeriane Borno, Samuel Kaalu, njoftoi se forcat nigeriane dorëzuan të miturit përfaqësuesve të UNICEF-it dhe Ministrisë nigeriane të Punëve Sociale.
Ai tha se janë marrë aktivitete për kthimin e fëmijëve tek familjarët e tyre.
"Në mesin e fëmijëve të liruar janë edhe dhjetë vajza. Disa prej tyre janë raportuar të zhdukur deri në pesë vjet. Familjarët e shumicës së këtyre fëmijëve u vranë në sulmet e Boko Haram", tha Kaalu.
Boko Haram është një organizatë terroriste e themeluar në Nigeri në fillim të viteve 2000 nga ekstremisti Muhamed Yusuf për të luftuar të gjitha llojet e kulturës perëndimore, veçanërisht sistemin arsimor të Nigerisë.
Yusuf vdiq në burg në rrethana të pashpjegueshme në vitin 2009, ndërsa si rezultat i kësaj, Boko Haram intensifikoi aktivitetet terroriste dhe u bë një kërcënim terrorist global. Aktualisht operojnë në Nigeri, Kamerun, Benin, Çad, dhe Niger.