Bota

KS i OKB-së diskutoi mbi vendimin për ushtrinë e Kosovës

Thaçi tha se transformimi i FSK-së në ushtri do të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, do të formohet një forcë profesionale shumë efektive dhe se ushtria nuk përbën kërcënim për askënd

Betül Yürük  | 18.12.2018 - Përdıtësım : 18.12.2018
KS i OKB-së diskutoi mbi vendimin për ushtrinë e Kosovës

New York

KOMBET E BASHKUARA (AA) - Vendimi i Kosovës për formimin e ushtrisë ka sjellë përballë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (KS-OKB) presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç, i cili ka kundërshtuar këtë vendim, raporton Anadolu Agency (AA).

Këshilli i Sigurimit të OKB-së diskutoi vendimin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri.

Liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë ngritur akuza të ndërsjella në KS-OKB për shkak të vendimit që i ka sjellë liderët e dy vendeve përballë njëri- tjetrit.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se Kosova si një vend sovran ka të drejtë të krijojë ushtrinë e saj.

Duke treguar se vendi i tij madje ka mbetur vonë në këtë vendim, Thaçi tha se ''Nëse Kosova ka bërë një gabim, ai ka qenë vetëm fakti se ajo ka pritur 5 vjet për formimin e ushtrisë".

"Ne kemi qenë gjithmonë viktima dhe ne kemi luftuar për të mbijetuar", ka thënë Thaçi.

Ai tha se nuk do të tërhiqen nga vendimi për formimin e ushtrisë së Kosovës. Thaçi potencoi se transformimi i FSK-së në ushtri do të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, do të formohet një forcë profesionale shumë efektive dhe se ushtria nuk përbën kërcënim për askënd.

Ndërsa presidenti serb Vuçiç, i cili ka kundërshtuar vendimin e Kosovës për krijimin e ushtrisë, tha se vendimi në fjalë ishte shqetësues.

''Dikush duhet t'i parandalojë, t'i qetësojë ata", tha Vuçiç duke mbrojtur idenë e tij se Kosova ka shkelur Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Po ashtu kundër vendimit ka qenë edhe Rusia, e cila është një vend që pengon anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe që ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit.

Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, kritikoi ashpër Kosovën dhe e akuzoi atë për "mosnjohjen e ligjit".

Nebenzia tha se shqetësimi i tyre më i madh është "mundësia se ushtria që do të formohet mund të shkojë për të siguruar kontroll në rajonet me popullatë serbe, në veri të Kosovës". Ai thotë se "një skenar i tillë mund të çojë në katastrofë, do të çojë Ballkanin sërish në një periudhë trazirash dhe do të minojë përpjekjet për të stabilizuar rajonin".

Në KS të OKB-së 8 shtete anëtare të Bashkimit Evropian (BE) si Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Britania e Madhe, Polonia dhe Suedia, në një deklaratë të përbashkët para takimit kanë mbështetur vendimin e Kosovës për krijimin e ushtrisë duke e konsideruar këtë vendim si "të drejtë sovrane" dhe u kanë bërë thirrje dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.