Kasım İleri
28 maj 2017•Përditësim: 29 maj 2017
WASHINGTON (AA) - Një person i identifikuar me emrin Jeremy Christian pasi ka ofenduar dy gra, një të mbuluar dhe një tjetër me ngjyrë në një tren në qytetin Portland në Oregon të SHBA-ve, ka sulmuar me thikë tre persona të cilët tentuan ta pengonin, ku si pasojë e ngjarjes njoftohet se kanë humbur jetën dy persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas mediave lokale në ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme përreth zonës Hollywood Transit Center mësohet se Christian, duke ofenduar dy gratë iu ka shprehur se nuk paguajnë taksa dhe iu ka kërkuar të zbresin nga treni dhe të braktisin vendin.
Ndër të tjera Christian, duke iu bërtitur grave ka thënë se urren muslimanët dhe se ata janë kriminelë.
Dëshmitarët kanë bërë të ditur se personi në fjalë ka sulmuar me thikë 3 persona të cilët janë përpjekur ta pengojnë. Si pasojë e sulmit mësohet se një prej personave të sulmuar ka humbur jetën në vendin ngjarjes, ndërsa tjetri në spital, ku dhe bëhet e ditur se personi i tretë është i plagosur rëndë.
Policia e Portland në një deklaratë në lidhje me ngjarjen ka vënë në dukje se gratë janë larguar nga vendi i ngjarjes përpara se policia të mbërrinte dhe se sulmi ka ardhur si pasojë e krimit të urrejtjes.
Ndër të tjera në deklaratën ku njoftohet se Christian është arrestuar theksohet se do të gjykohet me gjashtë akuza të ndryshme si për dy vrasje, dy krime urrejtjeje, plagosjen e një personi dhe mbajtjen e një arme të krimit.
Jeremy Christian, konsiderohet nga autoritetet si një racist i njohur, ku me 29 prill ai kishte mbërritur me shkop bejzbolli në marshimin për lirinë e shprehjes të organizuar nga të djathtët ekstremë në parkun Montaville në Portland dhe kishte tentuar të sulmonte protestuesit e krahut të majtë.
I dyshuari i cili në llogaritë e Facebook ka postuar mesazhe kundër hebrenjve dhe muslimanëve është përcaktuar se është një mbështetës i vendosur i presidentit amerikan Donald Trump.