Dmitri Chirciu
08 Dhjetor 2021•Përditësim: 08 Dhjetor 2021
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Presidentit të Rusisë Vladimir Putin i ka pëlqyer formati i bisedës që zhvilloi me presidentin e SHBA-së Joe Biden, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për gazetarët në Moskë Peskov bëri vlerësime lidhur me çështjet aktuale ku ai rikujtoi bisedën me video-konferencë mes Putinit dhe Bidenit.
"Në të vërtetë ky format siguron një bisedë të qartë. Të paktën Putin e ka pëlqyer këtë format", tha ai duke shtuar se nuk është caktuar ende data për një bisedë të re.
"Dy presidentët biseduan se në të ardhmen duhet të diskutohet sërish pas kontakteve të përfaqësuesve të Rusisë dhe SHBA-së. Por, është e pamundur që të jepet përgjigje për pyetjen se kur do të realizohet kjo bisedë".
Duke tërhequr vëmendjen se nuk është përcaktuar data se kur përfaqësuesit e Rusisë dhe SHBA-së do të bisedojnë për çështjen e stabilitetit strategjik në Evropë, Peskov tha se dy liderët kanë vënë theksin se biseda në fjalë duhet të zhvillohet në kohën më të afërt.
"Është e pamundur riformimi i Bashkimit Sovjetik"
Zëdhënësi Peskov ka komentuar deklaratën e nënsekretares së Shtetit të SHBA-së përgjegjëse për çështjet politike, Victoria Nuland e cila ka thënë se "Jemi të shqetësuar nga mundësia se Rusia po punon për të formuar sërish Bashkimin Sovjetik".
"Nuland ka njohuri të plotë për çështjet lidhur me Rusinë dhe për të gjitha detajet e zonës së Bashkimit Sovjetik. Jam i sigurt që Nuland ashtu si ne dhe ekspertët e tjerë, e ka kuptuar se është e pamundur riformimi i Bashkimit Sovjetik", deklaroi Peskov.
Ai tha se proceset integruese si Unioni i Shteteve të Pavarura, Unioni Ekonomik Euroaziatik dhe "Programi i Unionit Shtetëror" i Rusisë dhe Bjellorusisë nuk janë përpjekje për të formuar përsëri Bashkimin Sovjetik.
"Shpresojmë se me Gjermaninë do të ketë marrëdhënie konstruktive"
Lidhur me zgjedhjen e Olaf Scholz nga Partia Socialdemokrate si kancelar i ri i Gjermanisë në vend të kancelares Angela Merkel e cila ka shërbyer në Gjermani për 16 vite, Peskov tha: "Shpresojmë se mes presidentit të Rusisë dhe kancelarit të ri do të ketë marrëdhënie konstruktive. Shpresojmë se pala gjermane ashtu si edhe më parë do të vazhdojë të veprojë me qasjen se nuk ka një rrugë tjetër alternative përpos dialogut në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve më të vështira".