Ahmet Furkan Mercan
17 Janar 2022•Përditësim: 17 Janar 2022
Japonia njoftoi se Koreja e Veriut mëngjesin e sotëm ka kryer testimin e dy raketave balistike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri japonez i Mbrojtjes, Nobuo Kishi deklaroi se Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike të ndryshme në orën 08:49 dhe 08:52 sipas kohës lokale.
Ai bëri të ditur se raketat të cilat parashikohet se kanë përshkuar një distancë deri në 300 kilometra në një lartësi maksimale prej 50 kilometra kanë rënë në det.
"Është e qartë se Koreja e Veriut përpiqet të zhvillojë teknologjinë e saj raketore. Një sërë testimesh kohët e fundit, janë problem serioz për komunitetin ndërkombëtar", tha Kishi.
Kryesekretari i Kabinetit të Japonisë, Matsuno Hirokazu vuri në dukje se nuk është përcaktuar ende ndonjë dëm lidhur me testimet.
Qeveria e Tokios i ka përcjellë Phenianit reagimin e saj zyrtar përmes ambasadës së Japonisë në Pekin.
Theksohet se me shumë mundësi raketat kanë rënë jashtë zonës ekskluzive ekonomike kombëtare të Japonisë.
Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut njoftoi se raketat balistike me rreze të shkurtër janë lëshuar nga aeroporti Sunan që ndodhet jashtë kryeqytetit Phenian.
Bashkë me raketat e fundit që janë lëshuar, Koreja e Veriut ka kryer 4 testime raketore që nga viti i ri.