Ahmet Furkan Mercan
30 Janar 2022•Përditësim: 31 Janar 2022
Japonia dhe Koreja e Jugut njoftuan se Koreja e Veriut ka kryer një testim të raketës balistike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryesekretari i Kabinetit të Japonisë, Hirokazu Matsuno tha se raketa ka përshkuar një distancë deri në 800 kilometra në një lartësi maksimale prej 2.000 kilometra për 30 minuta nga Koreja e Veriut në drejtim të Detit të Japonisë.
"Ky është testimi i 7-të që Koreja e Veriut ka kryer këtë vit", njoftoi Matsuno i cili shtoi se raketat të cilën mendojnë se është "me rreze të mesme ose të gjatë" ka rënë jashtë zonës ekskluzive ekonomike kombëtare të Japonisë.
"Raketat balistike dhe ato të mëparshme janë kërcënim për vendin dhe rajonin tonë", deklaroi Matsuno duke shtuar se qeverisë së Phenianit i kanë përcjellë notë protestën lidhur me testimin.
Kryeministri japonez, Fumio Kishida ka bërë të ditur se vazhdojnë punimet për përcaktimin e dëmeve të mundshme tek anijet dhe avionët që ndodhen në rajon. Gjithashtu Kishida vuri në dukje se do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare lidhur me testimin.
Në një deklaratë nga Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut thuhet se raketat janë lëshuar në orën 07:52 sipas kohës lokale nga rajoni Jagang i Koresë së Veriut në drejtim të Detit të Japonisë.
Ndërsa Forcat Indo-Paqësore të SHBA-së (INDOPACOM) në një deklaratë lidhur me testimin dënuan Korenë e Veriut dhe i bënë thirrje që të distancohen nga "aktivitetet që prishin stabilitetin".
"Edhe pse e vlerësojmë se ky rast nuk përbën kërcënim të drejtpërdrejt për personelin e SHBA-së, për rajonin dhe aleatët e saj, ne do të vazhdojmë të vëzhgojmë situatën", thuhet më tej në deklaratë.
Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in në një fjalim në Këshillin e Sigurisë Kombëtare që mblodhi tha: "Dënojmë testimin i cili vendos në rrezik paqen dhe stabilitetin e Gadishullit Korean".