Ebu Bekir Aşkın
30 Janar 2022•Përditësim: 01 Shkurt 2022
Ebubekir Askin –
Qyteti i Kostandinit është i ndërtuar mbi shkëmbinj të lartë në verilindje të Algjerisë dhe është i famshëm për urat e tij mbi luginën Er-Rimal, shkruan Anadolu Agency (AA).
Tetë ura të ndërtuara në periudha të ndryshme kohore, lidhin dy anët e qytetit, por edhe mahnisin turistët.

E para nga këto ura, për shkak të së cilës Konstandini u quajt "qyteti i urave", është Bab el-Kantara, për të cilën disa burime thonë se është ndërtuar gjatë Perandorisë Romake.
Me rritjen e numrit të banorëve dhe lëvizjen e tyre, nevoja për ura të reja u rrit.
Më pas, u ndërtuan Ura e Djallit, Er-Rimal, Sidi Rached, Mellah Slimane, Ujëvarat, Meddjez Dechiche dhe Salah Bey, të cilat i dhanë Konstandinit një pamje të veçantë.
Urat në Konstandin janë një kujtesë e bashkimit të civilizimeve
Udhëheqësi turistik Nur Shuruk tregon se Kostandini, qyteti i urave, mahnit shumë vizitorë vendas dhe të huaj.
Secila nga këto ura ka historinë e saj.
“Sipas legjendës, arsyeja pse Ura e Djallit është quajtur kështu është për shkak të britmave të njerëzve që kishin frikë nga ujërat e forta që rridhnin nëpër luginë teksa kalonin urën”, thotë Shuruk.
Ai shton se Kostandini fillimisht u quajt Cirta, por më vonë mori emrin e perandorit romak Kostandini i Madh.

Janë këto ura që na kujtojnë bashkimin e qytetërimeve në këtë qytet.
“Ura e parë e njohur u ndërtua nga romakët, më pas erdhën Osmanët dhe ndërtuan një urë të re në përputhje me arkitekturën e tyre. Gjithashtu, në kohën e kolonizimit francez, francezët e ndërtuan urën në përputhje me stilin e tyre”, shpjegon Shuruk.
Perëndimi i diellit me pamje nga urat
Studenti Ahmed Halim erdhi në Kostandin për të shijuar perëndimin e bukur të diellit mbi ura.
Ai shtoi se Kostandini është një nga qytetet më të vjetra në Algjeri.
“Ky është një qytet i njohur për gatimet e tij të njohura, hamamet, natyrën dhe shumë më tepër, prandaj është i njohur në botë”, tha Halim.
Besohet se qyteti i urave u ndërtua nga vendbanimi i fenikasve të parë dhe në kohën e Berberëve u bë një nga qytetet më të rëndësishme tregtare. Ardhja e romakëve reflektoi në pamjen e qytetit.
Ura e fundit u ndërtua në vitin 2014 dhe u emërua Salah Bey, sipas njërit prej zyrtarëve të respektuar osmanë.