Emel Öz Gözellik
25 Shkurt 2018•Përditësim: 25 Shkurt 2018
SEUL (AA) – Zyrtarët e Koresë së Veriut kanë thënë se janë të hapur për bisedime me SHBA-të, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në margjinat e ceremonisë së sotme të mbylljes të Lojërave Olimpike Dimërore në Pyeongchang, Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, u takua me shefin e zbulimit të Koresë së Veriut, gjeneralin Kim Yong-chol.
Duke iu referuar deklaratave të zyrtarëve të Seulit, agjencia e lajmeve të Koresë së Jugut Yonhap raporton se delegacioni i Koresë së Veriut ka shprehur gatishmërinë për bisedime me SHBA-të dhe ka dërguar një mesazh udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong-un për gatishmërinë e vendosjes së lidhjeve të drejtpërdrejta me Washingtonin zyrtar.
Lojërat Olimpike Dimërore në Pyeongchang janë quajtur "Lojërat e Paqes", pasi ato kanë çuar deri në hapa të rëndësishme në afrimin dhe forcimin e marrëdhënieve midis dy Koreve.
Në ceremoninë e mbylljes të LOD në Pyeongchang gjithashtu mori pjesë edhe vajza dhe këshilltarja e presidentit të SHBA-së, Ivanka Trump.