Bayram Altuğ
25 Shkurt 2018•Përditësim: 26 Shkurt 2018
GJENEVË (AA) – Këshilli i të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (UNHRC) në Gjenevë nesër do të fillojë seancën e 37-të të rregullt vjetore, kurse në hapje pjesëmarrësve do t'u adresohet Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ditën e parë të seancës në ndërtesën e OKB-së në Gjenevë audiencës do ti adresohet edhe kryetari i UNHRC-së Vojisllav Suc, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut Zeid Ra'ad Al Hussein, Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Miroslav Lajçak dhe ministri i Jashtëm zviceran Ignazio Cassis.
Këshilli prej 47 anëtarësh në katër javët e ardhshme do të diskutojë mbi një sërë shqetësimesh për të drejtat e njeriut në pjesë të ndryshme të botës.
Temat kryesore të sesionit do të jenë zhvillimet në rajonet e krizës, si në Siri, Jemen, Mianmar, rajonet palestineze nën pushtimin izraelit, Irak, Libi, Sudanin e Jugut dhe Republikën Demokratike të Kongos.
Komisionet kompetente do të dorëzojnë më shumë se 100 raporte të të drejtave të njeriut nga këto rajone.
Gjithashtu u paralajmërua se deri në fund të seancës, ose deri më 23 mars, do të mbahen një sërë tribunash në çështjet e luftës kundër terrorizmit, torturës, liritë fetare si dhe të drejtat e fëmijëve dhe grave.