Vakkas Doğantekin
27 Maj 2020•Përditësim: 28 Maj 2020
Rusia së fundmi ka vendosur avionë luftarakë në Libi për të mbështetur mercenarët rusë që luftojnë për komandanitn puçist Khalifa Haftar, deklaruan të martën udhëheqësit ushtarakë të SHBA-së, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Komanda amerikane për Afrikë vlerëson se Moska kohët e fundit dërgoi avionë luftarakë në Libi për të mbështetur kontraktorët privat ushtarakë të sponsorizuar nga shteti rus (PMC) që veprojnë atje", tha Komanda e Forcave Amerikane në Afrikë (AFRICOM) në një deklaratë.
"Avionët ushtarakë rusë ka të ngjarë të ofrojnë mbështetje të afërt ajrore dhe sulme ofensive për "Wagner Group PMC" e cila mbështet luftën (të udhëhequr nga Haftari) të Ushtrisë Kombëtare Libiane (LNA), kundër Qeverisë të Pajtimit Kombëtar të njohur ndërkombëtarisht", thuhet në deklaratë.
Që nga prilli 2019 forcat e separatistit Haftar kanë nisur sulme mbi kryeqytetin Tripoli dhe pjesë të tjera të Libisë veriperëndimore, e cila ka rezultuar me mbi 1.000 të vrarë.
Pas rrëzimit të sundimtarit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011, qeveria e Libisë u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje politike të udhëhequr nga OKB-ja.
Në fillim të këtij viti, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se më shumë se 2.000 mercenarë të Grupit Rus Wagner ishin duke luftuar në vendin e shkatërruar nga lufta.
SHBA gjithashtu pretendon se avionët luftarakë rusë mbërritën në Libi nga një bazë ajrore në Rusi, "pasi kaluan transit në Siri, ku vlerësohet se ata ngjyrosën për të kamufluar origjinën e tyre ruse".
"Rusia është duke u përpjekur në mënyrë të qartë të ngrisë peshoren në favor të saj në Libi. Ashtu siç e pamë duke bërë në Siri, ata po shtrijnë gjurmët e tyre ushtarake në Afrikë duke përdorur grupe mercenare të mbështetura nga qeveria si Wagner", ka thënë në deklaratë gjenerali i Ushtrisë Amerikane, Stephen Townsend të Komandës amerikane në Afrikë.
"Për një kohë të gjatë, Rusia ka mohuar shtrirjen e plotë të përfshirjes së saj në konfliktin në vazhdim të Libisë. Epo, tani nuk ka asnjë mohim", tha Townsend.
Ai akuzoi Rusinë për fshehjen e rolit të saj të drejtpërdrejt në Libi dhe shmangjen e përgjegjësisë për "veprimet keqdashëse" të mercenarëve të Wagner Group.
Townsend tha se "veprimet ushtarake të Moskës kanë zgjatur konfliktin libian dhe përkeqësuan vuajtjet njerëzore dhe viktimat nga të dyja palët".
"Bota e dëgjoi Haftarin të thoshte se ai ishte gati të niste një fushatë të re ajrore. Këta do të jenë pilotët mercenarë rusë që fluturojnë me avionë të furnizuar nga Rusia për të bombarduar libianët", tha Townsend.
- Stabiliteti i Evropës kërcënohet nga roli rus në Libi
Komandantët amerikanë gjithashtu thanë se Evropa përballet me rreziqe të sigurisë për shkak të përfshirjes së Rusisë në Libi.
"Nëse Rusia vendoset në bregdetin e Libisë, hapi tjetër logjik është që ato të vendosin pajisje me rreze të gjatë të mohimit të zonës anti-qasje (A2AD) me distancë të largët", tha gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-së, Jeff Harrigian dhe komandanti i Forcat Ajrore të SHBA-së në Evropë dhe Afrikë. "Nëse ajo ditë vjen, ajo do të krijojë shqetësime shumë reale për sigurinë në krahun jugor të Evropës", tha ai.
Deklarata e AFRICOM gjithashtu paralajmëron një tjetër krizë të mundshme migracioni para portave të Evropës për shkak të "veprimeve destabilizuese të Rusisë në Libi".