Kina thellësisht e shqetësuar mbi planin e Izraelit për të pushtuar plotësisht Gazën
"Qeveria e Tel Avivit duhet t'i braktisë menjëherë këto veprime të rrezikshme", tha zv/përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Geng Shuang

Ankara
ANKARA (AA) - Zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Geng Shuang deklaroi se ata janë thellësisht të shqetësuar për shkak të lajmeve lidhur me "planin e Izraelit për të pushtuar plotësisht Rripin e Gazës" dhe se qeveria e Tel Avivit duhet "t'i braktisë menjëherë këto veprime të rrezikshme", transmeton Anadolu.
Në një fjalim në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Izrael-Palestinë, Geng tha se sulmet e Izraelit ndaj Gazës kanë vazhduar për gati dy vjet, duke shkaktuar vdekje dhe shkatërrime të përhapura dhe bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm.
Ai shprehu shqetësim të thellë për shkak të lajmeve lidhur me planin e Izraelit për të zgjeruar sulmet e tij në të gjithë Rripin e Gazës dhe se qeveria e Tel Avivit duhet "t'i braktisë menjëherë këto veprime të rrezikshme".
"Ne bëjmë thirrje të tregohen përpjekje urgjente për të lehtësuar krizën humanitare", tha Geng duke shtuar se civilët në Gaza nuk duhet të bëhen viktima të luftës ose të përjetojnë fatkeqësi të shkaktuara nga njeriu.
Geng shtoi se Izraeli duhet t'i përmbahet të drejtës ndërkombëtare, veçanërisht të drejtës ndërkombëtare humanitare, dhe të lejojë akses të plotë në ndihmën humanitare. Ai bëri thirrje për përpjekje drejt një zgjidhjeje me dy shtete.
"Zbatimi i plotë i zgjidhjes me dy shtete dhe një shtet i pavarur palestinez janë të vetmet mënyra të qëndrueshme për të zgjidhur çështjen palestineze dhe për të parandaluar tragjedi të ardhshme si kriza aktuale e pengjeve", potencoi Geng.
- "Plani i Izraelit për të pushtuar plotësisht Rripin e Gazës"
Një burim izraelit me njohuri për situatën i tha televizionit shtetëror izraelit KAN se Netanyahu ka tendencën për pushtim të plotë të Rripit të Gazës.
Pretendohet se shefi i Shtabit të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir është kundër planit në të cilin Gaza do të pushtohet e gjitha.
Zyra e Netanyahut thuhet se i ka dërguar një mesazh shefit të Shtabit të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir në të cilin thuhet se "Nëse plani për të pushtuar të gjithë Rripin e Gazës nuk ju përshtatet, duhet të jepni dorëheqje".