Riyaz ul Khaliq
08 Prill 2019•Përditësim: 09 Prill 2019
Ambasadori i ri i Koresë së Jugut në Kinë, Jang Ha-sung, ka thënë se Pekini ka një “rol kyç” në procesin e denuklearizimit të Gadishullit Korean, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas mediave lokale kineze, Jang Ha-sung ish këshilltari i lartë i presidentit të Koresë Jugut, ka thënë se bashkëpunimi më i ngushtë mes dy vendeve do të “përshpejtojë denuklearizimin e Gadishullit Korean”.
Ambasadori i ri i Koresë së Jugut të dielën arriti në Pekin.
“Kina është ‘miku ynë i vjetër’ që ka vuajtur dhe tejkaluar vështirësi në historinë e saj moderne. Unë do të përforcoj kanalet e komunikimit si dhe besimin e ndërsjellë përmes shkëmbimeve dhe dialogut aktiv”, citohet të ketë thënë Jang.
Ambasadori ishte përgjegjës për politikat ekonomike të presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in nga viti 2017 deri në nëntor të vitit të kaluar ndërsa zëvendëson Noh Young-min si zgjidhje e parë e presidentit të Koresë së Jugut për ambasador në Kinë.
“Roli i vendeve fqinje përreth Gadishullit Korean, veçanërisht Kinës, është bërë domethënës. Kina ka një rol kyç në procesin e denuklearizimit dhe në ruajtjen e paqes në Gadishullin Korean”, tha Jang.
Procesi i denuklearizimit të Koresë është në një "qorrsokak" që nga dështimi i bisedimeve mes SHBA-ve dhe Koresë së Veriut në muajin shkurt kur presidentët Donald Trump dhe Kim Jong-un lëshuan samitin e dytë pa arritur ndonjë marrëveshje.
Washingtoni zyrtar ka kërkuar ndihmë nga Kina për të ndërprerë programin bërthamor të Koresë së Veriut.