Mehmet Nuri Uçar
08 Prill 2019•Përditësim: 09 Prill 2019
Forcat besnike të Qeverisë së Konsensusit Kombëtar të Libisë kanë çliruar Aeroportin Ndërkombëtar të Tripolit, i cili u pushtua të shtunën nga forcat besnike të komandantit Khalifa Haftar, raporton Anadolu Agency (AA).
Komandanti ushtarak libian Khalifa Haftar të enjten urdhëroi forcat besnike në kampin e tij për të marshuar në Tripoli, kryeqytetin e Libisë, i cili është nën kontrollin e Qeverisë së Konsensusit Kombëtar, të mbështetur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Forcat besnike të qeverisë libiane të konsensusit kombëtar kanë nisur një operacion për të mbrojtur Tripolin dhe kanë kryer sulme ajrore ndaj forcave të Haftar-it.
Konfliktet në periferi të Tripolit vazhdojnë ndërsa autoritetet e Turqisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve dhe kthim në tryezën e negociatave.
Zëdhënësi i Ministrisë libiane të Shëndetësisë në Tripoli, Emin Muhammad al-Hashim për AA tha se në përleshje jetën e kanë humbur të paktën 21 persona ndërsa 27 të tjerë janë plagosur.
Libia është zhytur në një krizë të thellë politike dhe të sigurisë që nga viti 2011, kur u vra Muammar Gaddafi. Që atëherë në pushtet janë qeveritë paralele me bazë në Tripoli dhe Tobruk, apo Al Baida, të cilat kanë parlamentet e veçanta dhe forcat e armatosura. Haftar është në ballë të strukturës në Tobruk.
Në fund të vitit 2015, përfaqësuesit e qeverive paralele libiane nën patronazhin e OKB-së nënshkruan një marrëveshje mbi formimin e Qeverisë së Unitetit Kombëtar për të kapërcyer krizën.
Plani ishte që qeveria të marrë pushtetin në vend dhe të shpallë zgjedhjet parlamentare brenda 12 muajve. Për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme, kjo nuk është zbatuar plotësisht, kështu që Libia është ende larg një vendi të sigurt dhe politikisht të qëndrueshëm.