Ahmet Dursun
03 nëntor 2020•Përditësim: 03 nëntor 2020
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei deklaroi se "Të gjitha territoret e Azerbajxhanit duhet të çlirohen nga pushtimi, duhet të ruhet edhe siguria e armenëve", transmeton Anadolu Agency (AA).
Khamenei mbajti një fjalim me rastin e përvjetorit të lindjes së profetit Muhammed i cili u transmetua drejtpërdrejt në televizionin shtetëror.
Duke folur lidhur me konfliktin që burojnë nga pushtimi i territoreve të Azerbajxhanit nga Armenia, Khamenei tha se konflikti mes dy vendeve përbën kërcënim edhe për sigurinë e rajonit.
"Lufta mes dy fqinjëve tanë është ngjarje e dhimbshme. Duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Të gjitha territoret e Azerbajxhanit duhet të çlirohen nga pushtimi, duhet të ruhet edhe siguria e armenëve", tha Khamenei duke vënë theksin se konflikti duhet të ndalet.
Khamenei tha se "Një prej kushteve kryesore është rikthimi territoreve të Azerbajxhanit që Armenia ka pushtuar. Këtë duhet ta bëjë patjetër dhe duhet t'i përmbahet kufijve të përcaktuar në ligjin ndërkombëtar. Kufijtë ndërkombëtar nuk duhet të pushtohen dhe terroristët nuk duhet të afrohen në kufijtë tanë. Nëse këto afrohen në kufijtë tanë do të bëhet ajo që nevojitet".
Zgjedhjet presidenciale në SHBA
Lidhur me zgjedhjet presidenciale në SHBA, Khamenei tha se "Kushdo që fiton nuk do të ndikojë në politikën tonë ndaj SHBA-së. Disa flasin se çfarë do të ndodhë nëse fiton ky apo ai. Po, mund të ndodhin disa ngjarje, por neve nuk na interesojnë. Politika jonë ndaj SHBA-së është e përllogaritur dhe e qartë".
Khamenei ka kritikuar edhe ofendimet ndaj profetit Muhammed dhe mbështetjen ndaj veprimeve anti-islame nga zyrtarët e qeverisë franceze dhe kryesisht nga presidenti, Emmanuel Macron në Francë.
Ai tha se "Qeveria franceze ngrihet dhe i ndërthur këto veprime me të drejtat dhe lirinë e njeriut. Kjo qeveri franceze çfarë lloj qeverie është? Çfarë lloj politike është kjo?".
"Këto veprime janë një tregues i natyrës së errët të qytetërimit perëndimor", tha Khamenei.