Ahmed al-Masri,Gülşen Topçu
16 Mars 2018•Përditësim: 16 Mars 2018
DOHA (AA) - Qeveria e Katarit ka paraqitur një ankesë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) me arsyetimin se një avion i kësaj të fundit më 4 mars ka shkelur hapësirën e saj ajrore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë së lajmeve të Katarit QNA, përfaqësuesi i përhershëm i Katarit në OKB i ka dërguar një mesazh Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres dhe presidentit të radhës të KS-OKB-së, njëherit përfaqësues i përhershëm i Holandës, Karel van Oosterom, në të cilin ka theksuar se një avion ngarkesash i EBA-së më 4 mars ka shkelur hapësirën ajrore të vendit të tij.
Në ankesën e parashtruar thuhet se shkelja në fjalë paraqet mosrespektim të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe se shkeljet e EBA-ve ndaj hapësirës sovrane të Katarit dhe përpjekjet për ngritjen e tensioneve e vënë në rrezik stabilitetin e rajonit.
Në mesazhin e dërguar, Katari i bën thirrje OKB-së të ndërmarrë hapat e duhur për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe ndalimin e shkeljeve të EBA-ve, duke theksuar se Doha zyrtare ruan gjakftohtësinë përballë këtyre shkeljeve.
Ndryshe, Katari edhe katër herë më parë ka paraqitur ankesë në OKB ndaj EBA-ve për shkelje të hapësirës ajrore.
Arabia Saudite, EBA, Bahreini dhe Egjipit më 5 qershor të vitit 2017 ndërprenë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin, hap i cili i hapi rrugën një krize në rajonin e Gjirit.