Kancelari gjermane kritikon komentet e Trumpit për Afganistanin
Në një fjalim para parlamentit gjerman mbi politikën e jashtme, Merz theksoi se Gjermania dhe aleatët e saj evropianë mbeten të përkushtuar ndaj NATO-s, duke ndërmarrë njëkohësisht hapa konkretë për të rritur kontributet e tyre
Berlin
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, të enjten kritikoi ashpër presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për nënvlerësimin e kontributeve të aleatëve të NATO-s në Afganistan, ku ushtarët gjermanë luftuan krah për krah me forcat amerikane, transmeton Anadolu.
Në një fjalim para parlamentit gjerman mbi politikën e jashtme, Merz theksoi se Gjermania dhe aleatët e saj evropianë mbeten të përkushtuar ndaj NATO-s, duke ndërmarrë njëkohësisht hapa konkretë për të rritur kontributet e tyre dhe për të forcuar aleancën.
“Pas 11 shtatorit 2001, shkuam në Afganistan së bashku me partnerët tanë amerikanë si pjesë e misionit të NATO-s ‘Enduring Freedom’ dhe i ofruam vendit stabilitet dhe siguri më të madhe për shumë vite”, u tha Merz ligjvënësve.
“Pesëdhjetë e nëntë ushtarë gjermanë humbën jetën gjatë dislokimit gati 20-vjeçar në Afganistan. Më shumë se 100 të tjerë u plagosën, disa rëndë, në luftime dhe sulme. Nuk do të lejojmë që ky mision, të cilin e ndërmorëm edhe në interes të aleatit tonë, SHBA-së, të përbuzet dhe të denigrohet sot”, tha ai.
Pavarësisht tensioneve lidhur me deklaratat e fundit të Trumpit, Merz theksoi rëndësinë e vazhdueshme të NATO-s si aleancë mbrojtëse, duke e quajtur atë “garancia më e mirë” për lirinë, paqen dhe sigurinë në të dy anët e Atlantikut.
“Prandaj ne gjithmonë do të zgjasim dorën e bashkëpunimit ndaj Shteteve të Bashkuara”, tha ai, duke shtuar se, si demokraci, vendet evropiane duhet të konsiderohen “partnerë dhe aleatë, jo vartës” të SHBA-së.
Në një intervistë për Fox News javën e kaluar, presidenti Trump vuri në dyshim vlerën e kontributeve të aleatëve të NATO-s në Afganistan, duke pretenduar se SHBA-ja nuk kishte pasur kurrë nevojë për mbështetjen e tyre ushtarake dhe duke sugjeruar se forcat aleate shmangën operacionet luftarake gjatë misionit 20-vjeçar.
Deklaratat e tij shkaktuan kritika të ashpra nga aleatët evropianë, ushtritë e të cilëve pësuan humbje të konsiderueshme ndërsa luftonin përkrah forcave amerikane. Gjermania humbi 59 ushtarë gjatë dislokimit të saj gati dydekadësh, ndërsa Britania dhe Danimarka gjithashtu pësuan të vrarë dhe të plagosur në luftime.
Sulmet e 11 shtatorit 2001 mbeten e vetmja herë kur NATO ka aktivizuar Nenin 5 të traktatit themelues, i cili përcakton se një sulm i armatosur kundër një anëtari konsiderohet sulm kundër të gjithëve. Në përgjigje, aleatët evropianë të NATO-s dislokuan mijëra trupa në Afganistan si shenjë solidariteti transatlantik.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
