Nour Mahd Ali Abu Aisha,Hacer Başer
02 Qershor 2020•Përditësim: 02 Qershor 2020
Hamas i ka cilësuar si "spastrim etnik që synon migrimin e detyrueshëm të banorëve të Kudsit" shembjet në rritje të shtëpive të palestinezëve në fshatin Jabal al-Mukabbir që ndodhet në jug të Kudsit Lindor nën okupim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Hamasit, Abdel Latif Al-Qanua, në një deklaratë me shkrim është shprehur se "Rritja e shembjeve e shtëpive të palestinezëve në fshatin Jabal al-Mukabbir me arsyetimin se janë pa leje synon migrimin e detyrueshëm të popullatës palestineze. Ky është një krim dhe spastrim etnik që është e pamundur të qëndrohet në heshtje".
Ndër të tjera Qanou theksoi se kundër kësaj duhet të fillohet një rezistencë dhe nevojitet një ndërhyrje e menjëhershme për të mbrojtur palestinezët.
Forcat izraelite dje detyruan familjen palestineze të Ala Burkan që të shembë vetë shtëpinë e tyre në fshatin Jabal al-Mukabbir.
- Izraeli çdo vit lë të pastrehë dhjetëra palestinezë
Izraeli me arsye të ndryshme shemb shtëpitë dhe ndërtesat e palestinezëve në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor që ka pushtuar në vitin 1967.
Sipas "Marrëveshjes së Dytë të Oslos" të nënshkruar në vitin 1995 mes Palestinës dhe qeverisë izraelite, Bregu Perëndimor u nda në zonat A, B dhe C.
Zona A, e cila përfshin 18 për qind të territorit, i ishte alokuar Palestinës në aspektin administrativ dhe atë të sigurisë, zona B, që përfshin 21 për qind, në aspektin administrativ i ishte alokuar Palestinës kurse në atë të sigurisë Izraelit, ndërsa zona C, që përfshin 61 për qind të Bregut Perëndimor, i ishte alokuar Izraelit edhe në aspektin administrativ, edhe atë të sigurisë.
Burimet lokale theksojnë se Izraeli vetëm vitin e kaluar ka shembur 521 shtëpi të palestinezëve në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor me arsyetimin se janë "pa leje" ose që "janë ndërtuar në zonën C".