Ikrame Imane Kouachi
23 shtator 2026•Përditësim: 23 shtator 2026
Qendrat e votimit u hapën të mërkurën në mëngjes në të gjithë Marokun, ndërsa votuesit nisën të votojnë për zgjedhjen e anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve të vendit, transmeton Anadolu.
Votimi nisi në orën 08:00 dhe pritet të përfundojë në orën 19:00 sipas kohës lokale në të gjithë vendin, sipas zyrtarëve marokenë.
Rreth 15,8 milionë votues janë regjistruar për zgjedhjet, sipas shifrave zyrtare. Njëzet e tetë formacione politike garojnë për 395 ulëse, ndërsa në mbarë vendin janë regjistruar 7.288 kandidatura.
Këto janë zgjedhjet e 12-ta parlamentare që mbahen në Marok që nga pavarësia dhe të gjashtat që nga ardhja e mbretit Mohammed VI në fron në vitin 1999.
Fushata zgjedhore filloi më 10 shtator dhe përfundoi në mesnatën e së martës, përpara votimit të së mërkurës.
Zgjedhjet zhvillohen në një kohë kur në opinionin publik po diskutohet për punësimin, kushtet ekonomike, shërbimet publike dhe pjesëmarrjen politike, ndërsa angazhimi i të rinjve është shndërruar në një çështje kryesore.
Sipas kalendarit zyrtar zgjedhor, rezultatet paraprake pritet të fillojnë të shpallen të enjten.