Aness Suheil Barghoti
20 Dhjetor 2016•Përditësim: 20 Dhjetor 2016
JERUSALEM (AA) – Policia izraelite ka marrë në pyetje të martën një anëtar arab të Knesetit (Parlamenti) izraelit mbi dyshimet se ka futur fshehurazi në burg një telefon celular të cilin ia ka dhënë një pjesëtari të burgosur të Hamasit, raporton Anadolu Agency (AA).
Radioja izraelite tha se të hënën vonë, policia ka marrë në pyetje deputetin Basel Ghattas i cili është dashur të përgjigjet në akuzat se ka futur fshehurazi një telefon për një të burgosur palestinez në burgun në Ktzi'ot.
Policia e Izraelit, tha radioja e lartpërmendur, i ka shqiptuar deputetit një ndalesë udhëtimi.
Deputeti i partisë “Likud”, Gilad Erdan, njëherësh ministër për Siguri Publike dhe Çështje Strategjike, ka bërë thirrje që Ghattasit ti merret mandati i deputetit, nëse dëshmohet se ka kryer veprën për të cilën akuzohet.
“Mendoj se duhet të veprojmë me mençuri duke vënë në përdorim të gjitha mjetet ligjore që kemi në dispozicion, nëse provat e pretenduara kundër janë prova të besueshme”, citohet Erdan nga e përditshmja Yedioth Ahronoth.
Ai madje ka kërkuar edhe dënim me burg për deputetin arab.
Ghattas nga ana e tij ka mohuar akuzat të cilat i quajti si përpjekje për të minuar lidershipin arab në Izrael.
"Kjo është një përpjekje për të thyer boshtin e arabëve dhe përparimin e tyre politik në këtë vend", thuhet në kumtesën me shkrim.
Policia izraelite arreston 6 palestinezë
Policia izraelite ka arrestuar 6 palestinezë në një kamp refugjatësh në Shuafat, në Jerusalemin Lindor
Në një deklaratë me shkrim nga zëdhënësja e policisë, Luba Samri, tha se palestinezët janë arrestuar gjatë një operacioni të përbashkët të policisë dhe forcave mbrojtëse të kufirit në kampin e refugjatëve Shafat.
Samri ka thënë se policia ka shpërndarë turmën e mbledhur dhe se në mesin e të arrestuarve është edhe një i mitur.
Dëshmitarët okularë thanë se policia izraelite ka hyrë në kamp pa asnjë justifikim. Ata treguan se si pasojë e përleshjes mes të rinjve dhe policisë izraelite, një i ri palestinez është plagosur.