Irani: Baza amerikane në Katar u shkatërrua
"Ky veprim nuk përbën asnjë rrezik për vendin tonë miqësor dhe vëllazëror Katarin dhe popullin e tij fisnik dhe se Irani është i vendosur të ruajë marrëdhëniet e tij të sinqerta dhe historike me Katarin", thuhet në deklaratë

Teheran
Irani njoftoi se në përgjigje të sulmit amerikan ndaj objekteve bërthamore të Iranit, filloi sulm me raketa ndaj bazës ajrore amerikane "Al-Udeid" në Katar dhe se baza është "shkatërruar", transmeton Anadolu.
Në deklaratën e Sekretariatit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit thuhet se "Në përgjigje të veprimit agresiv dhe arrogant të SHBA-së kundër objekteve bërthamore të Iranit, baza ajrore Amerikane 'Al-Udeid' në Katar u shkatërrua disa orë më parë nga forcat e fuqishme të armatosura të Iranit".
- Tre raketa të Iranit goditën bazën amerikane në Katar
"Deri më tani, tre raketa kanë goditur bazën Al-Udeid", thuhet në lajme.
Deklarata thekson se numri i raketave të përdorura në sulm është i njëjtë me numrin e bombave të përdorura nga SHBA-ja në sulmin e saj ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
Baza ndodhej larg objekteve dhe zonave të banuara në Katar dhe asnjë zonë jashtë bazës nuk u dëmtua, theksohet në deklaratën ku bëhet e ditur se "Ky veprim nuk përbën asnjë rrezik për vendin tonë miqësor dhe vëllazëror Katarin dhe popullin e tij fisnik dhe se Irani është i vendosur të ruajë marrëdhëniet e tij të sinqerta dhe historike me Katarin".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.