Muhammet Kurşun
16 Qershor 2020•Përditësim: 16 Qershor 2020
Në Iran, 115 njerëz kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të kaluara si rezultat i koronavirusit të ri (COVID-19), duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 9.065, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë, Sima Sadat Lari, njoftoi se në 24 orët e kaluara, në vend janë regjistruar 2.563 të infektuar të rinj, me çka bilanci i rasteve deri më tani ka arritur në 192.439.
Lari theksoi se deri më tani janë shëruar 152.675 persona, ndërkohë që 2.810 pacientë janë në gjendje kritike.
Ajo tha se krahas provincës Khuzestan, edhe provincat Azerbajxhani Perëndimor dhe Lindor, Razavi Khorasan, Loristan, Kermanshah, Golestan, Hurmuzgan, Kurdistan dhe Sistan-Baluchistan janë caktuar si "zona të kuqe".
Numri i rasteve të të infektuarve me COVID-19 ishte ulur deri në 800 në fillim të muajit maj në Iran, por shifrat janë rritur pas heqjes së kufizimeve.
Koronavirusi në Iran për herë të parë u shfaq më 19 shkurt në qytetin Qom.