Mustafa Keleş
17 Gusht 2017•Përditësim: 17 Gusht 2017
OKB (AA) - Iraku kërkon ndihmë nga OKB-ja për mbledhjen e provave dhe gjykimin e personave të organizatës terroriste DEASH që kanë kryer krime lufte në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Jashtëm i Irakut, Ibrahim Xhaferi, në një letër dërguar sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ka theksuar se duhet të gjykohen anëtarët e DEASH-it përgjegjës për krimet ndaj popullatës që kanë kryer në territorin e Irakut.
Duke theksuar se DEASH-i kundër civilëve ka kryer krime shumë serioze dhe se ka shkatërruar veprat historike dhe infrastrukturën në rajon, Xhaferi është shprehur se "Këto janë krime kundër njerëzimit dhe është e rëndësishme që bandat e DEASH-it të dalin përpara drejtësisë. Nga komuniteti ndërkombëtar kërkojmë ndihmë me ekspertë për të kërkuar llogari ndaj anëtarëve të DEASH-it."
Më tej Xhaferi ka shtuar se Iraku me Britaninë janë në përgatitje të një projektrezolute për t'ia paraqitur KS-OKB-së në lidhje me këtë çështje.
Ndërsa zv/përfaqësuesi i Përhershëm i Mbretërisë së Bashkuar në OKB, Jonathan Allen, në një deklaratë duke vënë në dukje se po përgatisin një projektrezolutë për t'ia paraqitur KS-OKB-së, është shprehur se "Projektrezoluta synon që mos t'i lërë vend për t'u fshehur DEASH-it."
Ndër të tjera Allen ka shtuar se vazhdojnë konsultimet me anëtarët e KS-OKB-së për këtë çështje dhe se shpresojnë që në kohën më të shpejtë ta paraqesin për votim.