Ali H. M.Abo Rezeg
06 Mars 2018•Përditësim: 06 Mars 2018
BAGDAD (AA) – Ministri irakian i Emigracionit, Jassim Mohamed al-Jaf, ka kritikuar thirrjet nga disa vende evropiane për të riatdhesuar me forcë refugjatët irakianë pas disfatës së grupit terrorist DEASH në Irak, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kritikat e ministrit al-Jaf erdhën gjatë një takimi në Bagdad me ambasadorin jorezident të Zvicrës, Hans Peter Linz.
Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Emigracionit, bashkëbiseduesit diskutuan për popullatën e madhe të zhvendosur të Irakut dhe çështjen e refugjatëve irakianë jashtë.
Në deklaratë thuhet se al-Jaf u bën thirrje shteteve të Bashkimit Evropian (BE) të “konsiderojnë dimensionin humanitar kur merren me çështjen e refugjatëve irakianë në vendet e tyre”.
Ministri irakian poashtu ka përsëritur refuzimin e qeverisë së tij për nocionin e detyrimit të refugjatëve për t’u kthyer në Irak.
“Riatdhesimi i refugjatëve duhet të bëhet brenda kuadrit ligjor dhe me mirëkuptim të ndërsjellë midis Irakut dhe vendeve në fjalë”, citohet të ketë thënë al-Jaf.
Ai nuk siguroi numrin e refugjatëve irakianë, kërkesat për azil të të cilëve u refuzuan nga BE-ja.
Por, sipas agjencisë statistikore të BE-së rreth 127 mijë irakianë kërkuan azil në Evropë vetëm në vitin 2016.
Në mesin e vitit 2014, DEASH pushtoi pjesën më të madhe të vendit, duke detyruar qindra mijëra irakianë të iknin nga shtëpitë e tyre, shumë prej të cilëve më në fund gjetën rrugën për në Evropë.
Por, pas një lufte 3-vjeçare me ushtrinë irakiane dhe aleatët e saj, prania e grupit terrorist në Irak dhe kapaciteti i saj ushtarak u shkatërrua gjerësisht në vitin 2017.