Hebrenj ortodoksë protestojnë në New York kundër vizitës së Netanyahut në OKB
Qindra njerëz protestuan jashtë konsullatës izraelite, duke deklaruar se "Antisionizmi nuk është antisemitizëm" dhe duke premtuar vazhdim protestash kur të mbërrijë Netanyahu javën e ardhshme

New York/Stamboll
Qindra hebrenj ortodoksë organizuan protestë të mërkurën në New York kundër pjesëmarrjes së planifikuar të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në takimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme, raporton Anadolu.
Të organizuar përmes faqes së internetit "Izraeli kundër Judaizmit", protestuesit u mblodhën para ndërtesës së konsullatës izraelite në Manhattan.
Ata mbërritën më herët me autobusë shkollorë, duke mbajtur pankarta ku shkruhej: "Netanyahu dhe Ben Gvir: Armiqtë numër 1 të popullit hebre", "Antisionizmi nuk është antisemitizëm" dhe "Ndalo së detyruari hebrenjtë të hyjnë në ushtrinë sioniste".
Një tabelë e madhe pas platformës nga e cila u mbajtën fjalime në gjuhën jidish tërhoqi vëmendjen me fjalët: "Netanyahu: t'i nuk flet në emrin tonë".
Duke folur për Anadolu, Rabini David Feldman, një nga demonstruesit, tha se vizita e Netanyahut në OKB "do ta mashtrojë botën duke e bërë të mendojë se ai përfaqëson të gjithë hebrenjtë dhe se veprimet që ai ka kryer janë disi të miratuara nga feja hebraike".
"Çdo gjë që përfaqëson Izraeli dhe Benjamin Netanyahu është në kundërshtim të plotë me judaizmin dhe është burim i vërtetë turpi për popullin tonë", shtoi ai.
Duke cituar Torën, Feldman argumentoi se Judaizmi i vërtetë kërkon kundërshtim ndaj shtetit të Izraelit. "Na është e ndaluar të bëjmë luftë kundër ose të sulmojmë ndonjë komb. Kthimi në tokën e shenjtë dhe migrimi masiv janë të ndaluara", shtoi ai.
Duke i përshkruar ngjarjet në Gaza si "të papranueshme", Feldman tha se është thellësisht trishtuese të shohësh vrasje, grabitje tokash dhe shtypje të një populli të tërë në Palestinë.
Ai theksoi se jo vetëm në New York, por në gjithë botën, shumë hebrenj kundërshtojnë gjithçka që përfaqëson Izraeli. "Për të qenë të qartë, ne kundërshtojmë jo vetëm Netanyahun radikal, por të gjitha format e sionizmit – të moderuara ose ekstreme", tha Feldman.
Ai shtoi se protestat do të vazhdojnë kur Netanyahu të mbërrijë në New York.
Protestuesit më vonë marshuan drejt OKB-së për të përfunduar protestën e tyre.