Bota

Guaido fillon valën e protestave të reja në Venezuelë

Lideri i opozitës përjashton dialogun me qeverinë e Maduros, duke thënë se procesi i bisedimeve ka vdekuar 3 muaj më parë

Beyza Binnur Dönmez   | 18.11.2019
Guaido fillon valën e protestave të reja në Venezuelë

Ankara

Lideri i opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, filloi një valë të re të protestave kundër qeverisë së Maduros nëpër rrugët kryesore të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmes Twitterit, Guaido njoftoi se mobilizimi në rrugë do të vazhdojë të martën me mbështetjen e mjekëve dhe infermierëve, të mërkurën mësuesit do t'i bashkangjiten protestës ndërsa të enjten do të zhvillohen protesta të lëvizjes studentore.

Guaido gjithashtu përjashtoi kthimin në tavolinën e bisedimeve me presidentin Nicolas Maduro, madje edhe nën ndërmjetësimin norvegjez.

"Procesi i bisedimeve është i vdekur tre muaj më parë. Ata e vranë, ata ikën", tha ai në një konferencë për media në Karakas, duke iu përgjigjur pyetjes së mundësisë për rifillim të bisedimeve në Oslo.

"Ne patjetër t'i japim fund krizës", tha ai, duke iu referuar rëndësisë së mobilizimit të ri.

Delegacione nga të dyja palët morën pjesë në bisedimet në Oslo dhe Barbados nën ndërmjetësimin e qeverisë norvegjeze e cila ndërmori iniciativë për bisedime për të zgjidhur krizën politike.

Bisedimet në Oslo në muajin maj nuk dhanë rezultate ndërsa palët nuk dhanë një qëndrim të qartë për përmbajtjen e bisedimeve në Barbados të mbajtura në fillim të muajit korrik.

Përderisa Guaido që atëherë mbetet në retorikën e tij të ashpër kundër qeverisë, Maduro dhe delegacioni i tij e konsiderojnë procesin e bisedimeve si "të suksesshëm".

Të dyja palët kishin caktuar një raund të ri të bisedimeve në Barbados në fillim të muajit gusht, por delegacioni i presidentit Maduro vendosi që të mos marrë pjesë në bisedime shkaku i mbështetjes së sanksioneve amerikane ndaj Venezuelës nga ana e Guaidos. Sanksionet përmbanin një urdhër ekzekutiv që ngrin të gjitha pasuritë që i përkasin qeverisë së Venezuelës.

Guaido mbështeti këtë veprim të SHBA-ve duke thënë se masat nuk janë kundër popullit të Venezuelës, por kundër "një regjimi të korruptuar".

Që nga fillimi i vitit, Venezuela është përfshirë në trazira politike, pasiqë presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro dhe kreu i opozitës, Juan Guaido janë përfshirë në një betejë për pushtet ndërsa ekonomia e vendit ka shënuar rënie të ndjeshme pas rënies së çmimit të naftës së papërpunuar, që është eksporti kryesor i shtetit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın