Oliver Towfigh Nia
27 Nëntor 2023•Përditësim: 27 Nëntor 2023
Gjermania mbështet zgjatjen e pauzës humanitare në luftën e Gazës, duke deklaruar se ajo duhet të përdoret si “një urë drejt një procesi politik” për një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit të përgjakshëm, transmeton Anadolu.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kathrin Deschauer, tha se shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, ka mirëpritur pauzën humanitare aktuale dhe ka theksuar se ajo “duhet të zgjatet sa më tepër të jetë e mundur” në mënyrë që pengjet të mund të lirohen dhe ndihma humanitare të mund të dërgohet në Gaza.
Baerbock aktualisht është në Barcelonë të Spanjës, ku kryediplomatët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), si dhe të vendeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore po takohet për të diskutuar krizën në Gaza, ku pauza humanitare përfundon sot më vonë.
“Gjëja kryesore që ne aktualisht po përpiqemi të bëjmë është të shohim vuajtjet e njëri-tjetrit, sepse vetëm nëse vuajtjet e të tjerëve mund të shërohen, edhe vuajtjet tuaja do të marrin fund. Izraelitët mund të jetojnë në siguri vetëm nëse palestinezët jetojnë në siguri”, tha ministrja Baerbock në fillim të takimit në Barcelonë.
Ndërprerja e luftimeve midis Izraelit dhe Hamasit, e ndërmjetësuar nga Katari, fillimisht ishte planifikuar të zgjaste katër ditë.
Kjo pauzë hyri në fuqi mëngjesin e të premtes dhe sipas marrëveshjes mund të zgjatet deri në 10 ditë. Fillimisht duhej të përcaktohej nëse do të kishte një marrëveshje mes Hamasit dhe Izraelit.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, sinjalizoi gatishmërinë e tij për ta bërë këtë të dielën në mbrëmje. Hamasi gjithashtu tha se po kërkon një zgjatje për të liruar më shumë të burgosur palestinezë nga Izraeli në këmbim të pengjeve.