Cüneyt Karadağ
18 Dhjetor 2015•Përditësim: 18 Dhjetor 2015
BERLIN (AA) - Gjermania do t'i dërgojë armë shtesë Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut e cila lufton kundër organizatës terroriste DAESH, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas gazetës gjermane Bild, pas armëve dhe pajisjeve ushtarake që iu dërguan më parë forcave kurde peshmerge do t'iu dërgohen edhe 200 raketa anti-tank të llojit Milan, 4 mijë pushkë G36 dhe 6 milionë plumba shtesë. Përveç armëve në rajon do të dërgohen edhe 5 automjete të blinduara të llojit Dingo.
Armët dhe municionet priten të arrijnë në tre muajt e parë të vitit 2016.
Ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë Ursula von der Leyen në deklaratën e saj për gazetën Bild tha se peshmerget kanë dëshmuar se janë të suksesshëm në mbrojtje kundër DAESH-it barbar. "I mbrojtën miliona refugjatë në veri të Irakut", tha ministrja gjermane Von der Leyen për të shtuar se do të vazhdojë mbështetja me armë dhe trajnime për peshmergët.
Ndryshe, Gjermania deri më tani forcave kurde në veri të Irakut, u kishte dërguar 20 mijë pushkë, një mijë raketa anti-tank si dhe armë dhe pajisje 1 mijë e 800 tonësh. Peshmergët, momentalisht disponojnë me rreth 300 raketa anti-tank të llojit Milan.