Ekip
04 Shtator 2020•Përditësim: 06 Shtator 2020
Së paku 116 raste me koronavirusin e ri (COVID-19) janë regjistruar në Rripin e bllokuar të Gazës, njoftoi sot Ministria palestineze e Shëndetësisë, duke e çuar numrin e rasteve në 697, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate të Ministrisë, numri i të vdekurve në enklavën bregdetare është 5 ndërsa 82 pacientë janë shëruar deri më tani.
Ministria u zotua të dyfishojë përpjekjet e saj për të frenuar shpërthimin në Gaza, duke theksuar se nuk ka vend për "vetëkënaqësi dhe pakujdesi".
Ministrja palestineze e Shëndetësisë, Mai al-Kailah arriti sot në Gaza për vizitën e saj të parë që nga marrja e detyrës në prill të vitit 2019 nën qeverinë e Mohammad Shtayyeh.
Sipas Ministrisë, Al-Kailah shoqërohej nga një delegacion qeveritar që përfshin 5 ministra për të vlerësuar situatën e pandemisë në Gaza.
Të enjten, Salama Maarouf, kreu i Qendrës Qeveritare të Medias dhe Informacionit në Gaza paralajmëroi se infeksionet e koronavirusit në Rripin e Gazës kanë hyrë në një "kurbë të rrezikshme".
Hamas i cili kontrollon Gazën ka vendosur izolim total në të gjithë Rripin që prej 24 gushtit të kaluar, pasi rastet e para të virusit u zbuluan në popullatën e përgjithshme.
Qeveria palestineze e vendosur në Ramallah nuk ka dërguar asnjë ministër në Gaza që nga formimi i saj ndërsa ndarjet e brendshme midis Fatahut dhe Hamasit vazhdojnë pas fitores së kësaj të fundit në zgjedhjet legjislative të vitit 2006.