Said İbicioğlu
09 Shkurt 2017•Përditësim: 10 Shkurt 2017
GAZA (AA) - Teksa ka filluar procesi zgjedhor në të cilin do të caktohet kryesia e re e Lëvizjes së Rezistencës Islame (Hamas) në Palestinë, më i spikatur për postin e liderit të partisë, sipas ekspertëve, është zëvendëskryetari i Byrosë Politike Ismail Hanijeh, shkruan Anadolu Agency (AA).
Meqenëse për shkak të rregullores së lëvizjes kryetari aktual i Byrosë Politike të Hamasit, Halid Meshal nuk do të mund të kandidojë për mandat të tretë, kryesia e re e partisë do të formohet nga lidershipi i një emri tjetër.
Sipas të dhënave të siguruara nga burime të afërta të Hamasit, procesi zgjedhor brenda partisë ka filluar fundjavën e kaluar. Në këtë proces, i cili zhvillohet në fshehtësi dhe i mbyllur për mediat, merr pjesë Komiteti i lartë zgjedhor i përbërë nga juristë dhe gjykata të pavarura për shqyrtimin e ankesave të mundshme.
Ndërkaq, thuhet se nuk ka asnjë parakusht në kandidaturën për liderët rajonal ose kryesinë e lartë. Krahas kësaj, thuhet se në caktimin e kandidatëve merren parasysh disa kritere specifike.
Ahmed Jusuf, kryetari i Qendrës për Këshillim dhe Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Bejt el-Hikme, ka thënë se mekanizmi zgjedhor i Hamasit është i fshehtë dhe se nuk shpaloset me opinionin publik. Jusuf gjithashtu ka njoftuar se po ashtu është e ndaluar që kandidatët të zhvillojnë fushatë zgjedhore.
Husam ed-Dexheni, hulumtues palestinez, ka theksuar se Hamas ka krijuar një rregullore të fshehtë zgjedhore e cila inspektohet nga Komiteti i brendshëm zgjedhor.
"Rregullorja e brendshme parasheh që procesi zgjedhor në Palestinë të zhvillohet i ndarë në zona. Ndërkaq, zonat caktohen përreth xhamive. Një xhami e madhe më vete ose tre xhami të vogla së bashku përbëjnë një zonë zgjedhore", ka thënë Dexheni.
Sipas Dexhenit, personat e zgjedhur në zona emërohen në komisionin administrativ i cili më pas zgjedh Kuvendin e Këshillimit - Shura, ndërsa ky i fundit zgjedh anëtarët e Byrosë politike të cilët nga ana tjetër kanë për detyrë ta zgjedhin liderin e Hamasit.
Dexheni po ashtu ka potencuar se zgjedhjet brenda Hamasit bëhen një herë në katër vite, duke rikujtuar se kryetari i Byrosë Politike mund të ushtrojë detyrën vetëm dy mandate.
Hanijeh, më i spikaturi
Analisti politik Hamza Ebu Sheneb ka thënë se Hamasi i ndan zonat zgjedhore në tre pjesë, edhe atë: Gaza, Bregu Perëndimor dhe pjesa jashtë Palestinës.
Sipas Ebu Sheneb, më i spikatur gjatë zgjedhjeve për pozitën e kryetarit të Byrosë Politike gjatë është Ismail Hanijeh. Ai po ashtu tërhoqi vëmendjen se në mesin e kandidatëve të mundshëm për kryetar është edhe Musa Ebu Merzuk.
Nga ana tjetër, shkrimtari në gazetën Eyyam që publikohet në Palestinë, Ekrem Ataullah, ka thënë se si emër më të përafërt me pozitën e kryetarit të Hamasit e sheh Ismail Hanijeh. Sipas tij, kushdo që të zgjidhet si lider, Hamasi ka një strukturë të fortë e cila nuk ndikohet shumë nga identiteti i liderit.
Edhe shkrimtari palestinez dhe analisti politik Mustafa Ibrahim ka theksuar se "është e dukshme që Hanijeh është personi më me fat". Ai po ashtu ka kërkuar që Hamasi të zhvillojë zgjedhjet në mënyrë të hapur për opinionin publik.
Halid Meshal, i cili detyrën e kryetarit të Byrosë Politike të Hamasit për herë të marrë e mori në vitin 1996 dhe i cili më 2012 u zgjodh në detyrën e njëjtë për herë të dytë, nuk mund të kandidohet për herë të tretë sipas rregullores së re të Hamasit. Ndërkaq, Ismail Hanijeh, që nga prilli i vitit 2013 ushtron detyrën e ndihmësit të Meshalit.