Mustafa Deveci
29 dhjetor 2020•Përditësim: 30 dhjetor 2020
Forcat izraelite kanë plagosur me plumba të vërtetë fotoreporterin "freelancer" palestinez të Anadolu Agency (AA), Sariye Ceradat, i cili kishte ndjekur protestën kundër rrënimeve të kryera në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Forcat izraelite shkatërruan një shtëpi dhe dy depo të palestinezëve, me arsyetimin se janë ndërtuar "pa leje" në qytezën Yatta të qytetit El Halil (Hebron).
Banorët e zonës reaguan ndaj shkatërrimit, ndërsa forcat izraelite u përpoqën që të shpërndajnë grupin me plumba të vërtetë dhe gaz lotsjellës.
Gjatë intervenimit forcat izraelite fotoreporterin "freelancer" palestinez Ceradat e plagosën me plumb në supin e majtë, ndërsa trajtimi i tij u bë nga ekipet e shëndetësisë në rajon.
Sipas burimeve palestineze, autoritetet izraelite vetëm vitin e kaluar kanë rrënuar mbi 500 shtëpi dhe vende të punës në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.
Në kuadër të "Marrëveshjes së Dytë të Oslos" të nënshkruar në vitin 1995 mes Palestinës dhe qeverisë izraelite, Bregu Perëndimor ishte ndarë në zonat A, B dhe C.
Zona A, e cila përfshin 18 për qind të territorit, i ishte alokuar Palestinës në aspektin administrativ dhe atë të sigurisë, zona B, që përfshinte 21 për qind, në aspektin administrativ i ishte alokuar Palestinës kurse në atë të sigurisë Izraelit, kurse zona C, që përfshin 61 për qind të Bregut Perëndimor, i ishte alokuar Izraelit edhe në aspektin administrativ, edhe atë të sigurisë.