Fuat Kabakcı
03 Shkurt 2019•Përditësim: 04 Shkurt 2019
PEKIN (AA) - Festivali i Pranverës, kremtimi më i rëndësishëm në Kinë, simbolizon fillimin e Vitit të Ri sipas kalendarit hënor kinez, dhe njëkohësisht paraqet një mundësi të rrallë për bashkimin familjar, që rezulton me migrim të madh dhe turma të mëdha njerëzish në komunikacion, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo festë e ka gjenezën te periudha e dinastisë Shang, me një traditë mbi 4000 vjeçare, dhe zgjat shtatë ditë, por festimet dhe festivalet zgjasin në disa raste edhe 40 ditë.
Me festën në fjalë, kinezët përfundojnë vitin e Qenit dhe hyjnë në vitin e Derrit.
Karakteristika kryesore e Festivalit të Pranverës në Kinë, është të bërit bashkë të familjes për çka qindra miliona njerëz nga qytetet e mëdha në Kinë vizitojnë familjet e tyre në zonat rurale të vendit.
Migrimet që kanë të bëjnë me festën në fjalë filluan më 13 janar dhe do të zgjasin deri më 21 shkurt, atëherë kur të gjithë kinezët duhet të jenë pranë familjeve të tyre për të festuar.
Formalisht, Viti i Ri kinez fillon më 5 shkurt dhe kremtohet si Festa e Pranverës që zgjat për shtatë ditë.
Këtë vit pritet që brenda Kinës të realizohen rreth tre miliardë udhëtime, njëjtë si edhe në vitet e kaluara.
Hekurudha është preferenca kryesore e kinezëve, për çka rreth 300 milionë kinezë që punojnë në qytete të mëdha, larg familjeve të tyre, përdorin këtë mjet transporti.
Meqë klasa punëtore shpërngulet në viset rurale për të vizituar familjet, ndërkohë që banorët e qyteteve shfrytëzojnë këtë festë për udhëtime, metropolet e mëdha kineze në Festivalin e Pranverës nuk janë një vend i mbushur me njerëz, dhe rrugët e tyre kaplohen nga një qetësi e pazakontë.
Shiao Zou është njëri nga kinezët që udhëton nga Pekini përmes Tieninit në vendlindjen e tij në Hohhot. Për AA thotë se me padurim pret bashkimin familjar.
"Të gjithë bëhemi bashkë dhe festojmë Vitin e Ri me ushqime tradicionale dhe shoqërim me të afërmit tanë. Këto janë ditët më të bukura të vitit që me padurim i presim", tha Cang.
Kinezi tjetër, Jang Shaoley, thekson se është i emocionuar dhe se me padurim pret takimin dhe shoqërimin me gruan dhe fëmijët e tij të cilët jetojnë në Hibeij.
"Kam shumë mall, sidomos për djalin tim dyvjeçar, i cili nuk më ka parë gjatë. I kam dëgjuar, por nuk u tregova se do vij. Po u bëj një surprizë”, tha ai.
Li Su është një tjetër punëtor që nuk e fsheh faktin se puna dhe jeta në Pekin në mesin e 22 milionë banorëve, paraqet një sfidë të madhe, por shkakton edhe mall për familjen e cila jeton në Shangdong-un e largët.
"Pres me padurim takimin me gruan dhe fëmijët. Nuk kam fjetur natën nga ngazëllimi", tha Li.