LONDËR (AA) - Politikanët evropianë të cilët kapërcyen shokimin nga zgjedhja e Donald Trump në presidencën e SHBA-ve kanë reaguar ashpër ndaj vendimeve të para të nënshkruara nga presidenti i ri amerikan, raporton Anadolu Agency (AA).
Trump i cili erdhi në detyrën e presidentit më 20 janar 2017 gjatë fushatës zgjedhore theksoi disa herë se aleatët evropianë të NATO-s duhet të rrisin shpenzimet e mbrojtjes. Ai ka thënë se ishte kundër marrëveshjes së tregtisë së lirë mes SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian.
Por, politikanët evropianë dhe drejtuesit e institucioneve të BE-së duke dërguar mesazhe përgëzimi pas fitores së Trump-it në zgjedhje, pavarësisht se ai nuk kishte filluar ende detyrën e tij ata e ftuan Trump në Samitin e Liderëve të BE-së. Ndërsa Trump nuk mori pjesë në samitin e mbajtur në muajin dhjetor, ndërsa preferoi që në vend të drejtuesve të institucioneve të BE-së të takohej me liderët e ekstremit të djathtë brenda Evropës.
Së fundmi politika evropiane nisi të ndryshojë tonin e zërit kundër presidentit të ri Trump pasi ai nënshkroi dekretet presidenciale të cilat sjellin "kufizime në pranimin e refugjatëve në vend dhe procedura të ashpra të sigurisë në vizat e emigrantëve" të cilat parashikojnë mos pranimin në SHBA për 90 ditë të personave që vijnë nga 7 vende muslimane "të cilat mendohen se kanë lidhje me terrorizmin".
Bashkimi Evropian
Presidenti i Këshillit të Evropës Donald Tusk në një letër të dërguar një ditë para takimit jozyrtar të Samitit të BE-së që do të mbahet ditën e nesërme në Maltë me krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare në lidhje me të ardhmen e Unionit duke e konsideruar Trump-in si një "kërcënim i jashtëm" me të cilin BE-ja po përballet tha se "deklaratat shqetësuese të administratës së re amerikane po e bëjnë të paprashikueshme në masë të madhe të ardhmen për të gjithë ne".
Sipas tij, "Kryesisht ndryshimi në Washington, vendos në një situatë të vështirë BE-në. Administrata e re, duket sikur po vë në pikëpyetje 70 vitet e politikës së jashtme amerikane".
"Duhet të thuhet shumë qartë se shpërbërja e BE-së nuk do të mundësojë që shtetet anëtare të rivendosin sovranitetin e plotë legjendar, por do të çojë në varësinë aktuale dhe të vërtetë të superfuqive si SHBA, Rusisë dhe Kinës. Nuk mund të dorëzohemi para atyre që dëshirojnë të dobësojnë lidhjen transatlantike apo ta bëjnë atë të pavlefshëm. Miqve tanë amerikanë duhet t'u rikujtojmë slloganet tona: Nëse jemi të bashkuar rimëkëmbemi, nëse ndahemi rrëzohemi", tha Tusk.
Në Parlamentin Evropian (PE) është diskutuar edhe ndalesa e vizave nga presidenti amerikan Donald Trump për qytetarët e 7 vendeve muslimane.
Në një seancë ditën e djeshme në PE, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë Federica Mogherini ka thënë se "Askush nuk mund të privohet nga të drejtat për shkak të vendlindjes, fesë apo rrënjëve etnike. Kjo qëndron edhe në kushtetutat e BE-së dhe SHBA-ve. Ne këta jemi, ky është identiteti ynë. Historia jonë evropiane na ka mësuar që të festojmë kur shemben muret dhe ndërtohen ura".
Mogherini edhe në një deklaratë më parë në lidhje me dekretin e Trump për emigrantët tha se "Kur investoni në ndarje dhe mure, kur përreth ndërtoni mure e gjeni veten në burg".
Ndërsa kryetari i Grupit Socialist në PE, Gianni Pittella fillimisht pasi ishte shprehur se Trump "dukej si një shaka" ai theksoi se tani presidenti i ri i SHBA-ve ishte "kthyer në një makth".
"Historikisht kemi një zakon që nënvlerësojmë çështjet. Kur kemi nënvlerësuar çështjet jemi përballur me diktatorë që shkaktojnë luftëra dhe derdhin gjak", tha Pittella duke shtuar më tej se "Është mirë që Trump të mos ftohet në Evropë deri në zgjidhjen e problemit. Edhe unë jam në anën e bashkëpunimit. Por Trump-it duhet ti mbyllen dyert e Evropës derisa ai të ndryshojë qëndrimin e tij".
Edhe drejtuesi i Grupit të Aleancës së Liberalëve në PE, Guy Verhofstadt në seancë pasi vuri në dukje se vendimi i ndalesës nuk ka lidhje për ta bërë Amerikën një vend më të sigurt, përkundrazi përfshin një "diskriminim të pastër".
"Në përgjithësi presidentët e SHBA-ve kërkojnë të jeni liderë të botës së lirë. Por, Trump kërkon të jetë lideri i luftërave kundër botës së lirë. Madje strategjia e tij kryesore është Steve Bannon, kërkon të eliminojë BE-në", tha Verhofstadt.
Gjermania
Zëshënësi i qeverisë federale të Gjermanisë Steffen Seibert duke kritikuar Trump-in tha se "Gjermania do të shqyrtojë se çfarë pasojash do të sjellë zbatimi i administratës amerikane për qytetarët gjermanë me dy nënshtetësi dhe po të jetë e nevojshme do të mbrojë interesat e këtyre personave në prani të bashkëbiseduesve tanë amerikanë".
Teksa ish ministri i Jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier ishte shprehur se "Me zgjedhjen e Donald Trump ka përfunduar plotësisht bota e ish shekullit 20. Është e qartë se çfarë rregulli i ri do të vendoset në zbatim, dhe se çfarë do të tregojë e nesërmja", ish-komisioneri përgjegjës për zgjerimin e BE-së politikani gjerman Günter Verheugen në lidhje me veprimet e para të Trump tha se "Po bëhen gjëra të cilat as nuk mund ti ëndërronim një vit më parë".
Verheugen tha se "bashkë me këtë nuk ka arsye për t'u përfshirë në histeri". "Para çdo gjëje demokracia në SHBA po forcohet edhe më shumë dhe opinioni Trump nuk mund të zbatojë ndryshime rrënjësore të politikave në mendjen e tij pa u përballur me një rezistencë të madhe", tha ai.
Franca
Presidenti francez François Hollande pas zgjedhjes së Trump-it në presidencë tha se "Evropa ka gjithmonë dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin transatlantik por këtë do ta realizojë në kuadër të vlerave dhe interesave të saj. Nuk ka nevojë të merren rekomandime nga jashtë në lidhje me çështjen se çfarë duhet të bëjë".
Hollande në një bisedë telefonike të zhvilluar javën e kaluar me Trump i kishte rikujtuar presidentit të ri se të drejtat e refugjatëve janë nga parimet e demokracisë dhe i ka shprehur se duhet të respektonte pranimin e refugjatëve.
Reagimi më i fortë kundër Trump-it në Francë ka ardhur nga ministri i Jashtëm Jean-Marc Ayrault i cili tha se "Po ndjekim me shqetësim hapat e Trumpit. Anulimi i njëanshëm i vizave të njerëzve me arsyen e terrorizmit është një ngjarje jashtëzakonisht shqetësuese. Një mendje e shëndoshë, kërkon rikthimin nga ky vendim".
Britania
Kryeministrja britanike Theresa May lidhur me vendimin e presidentit Trump tha se "Ne vlerësojmë se kjo politikë është përçarëse dhe e gabuar".
Sekretari i Jashtëm britanik Boris Johnson në një deklaratë në Parlament në fillim të kësaj jave tha se "të njollosësh (njerëzit) për shkak të kombësive është e gabuar dhe përçarëse".
Edhe kryetari musliman i Bashkisë së Londrës Sadiq Khan në një deklaratë këtë fundjavë tha se "Është e turpshme dhe mizore ndalesa që presidenti Trump ka vendosur kundrejt refugjatëve dhe emigrantëve të disa vendeve të caktuara. Pavarësisht se çdo vend ka të drejtën të përcaktojë politikat e saj për emigrantët, kjo politikë e re bie në kundërshtim me vlerat themelore të lirisë dhe tolerancës që kanë SHBA-të".
Zvicra
Ministri i Jashtëm i Zvicrës Didier Burkhalter në një deklaratë me shkrim ka thënë: "Kemi kundërshtuar gjithmonë që njerëzit të përballen me diskriminim fetar. Në këtë kuptim SHBA-të në luftën kundër diskriminimit fetar po veprojnë në mënyrë të gabuar".
Suedia
Ministrja e Brendshme e Suedisë, Margot Wallström, në një deklaratë në televizionin shtetëror suedez SVT, dekretin e Trump e ka cilësuar si "një vendim shumë i keq. Një zbatim i planifikuar shumë keq".
Danimarka
Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Anders Samuelsen duke e cilësuar si të "palogjikshme" dekretin e Trump tha se "Është e gabuar të gjykosh njerëzit për fenë dhe shoqërinë që ata i përkasin. SHBA ashtu si ka vepruar deri më tani duhet ti vlerësojë njerëzit individualisht".
Në dekretin e Trumpit për emigrantët i cili është një prej zbatimeve që ka patur më shumë reagime pavarësisht se nuk përmenden drejtpërdrejt emrat e vendeve që "mendohen se kanë lidhje me terrorizmin" thuhet se këto vende janë Iraku, Libia, Siria, Irani, Sudani, Somalia dhe Jemeni.
news_share_descriptionsubscription_contact
